Austria dërgon ushtarët e saj në Kosovë me aeroplan “low cost”

Mëngjesin e së martës 143 ushtarë austriakë janë nisur nga Aeroporti i Linzit për në Kosovë me një aeroplan udhëtarësh me çmim të lirë, dhe jo me aeroplanin e tipit Hercules, të cilit do t’i duhej që këta ushtarë t’i bartte tre herë deri në Kosovë.

 

Lajme

30/09/2014 18:53

Forcat e armatosura të Austrisë janë duke ndjekur një kurs të ashpër kursimi. Nga ky kurs nuk janë përjashtuar as fluturimet e ushtarëve për në Kosovë, ku Austria ka të stacionuara trupat e saj në kuadër të KFOR-it që nga përfundimi i luftës.

Sot në mëngjes 143 ushtarë janë nisur nga hangari i Klagenfurtit me helikopterë të ushtrisë, dhe jo si zakonisht nga Aeroporti i Linzit. Pasi që shumica e ushtarëve janë nga regjioni Kärnten, në këtë mënyrë po kursehet duke evituar transportin me tren deri në Linz, ka thënë për orf.at komandanti i trupave që kanë fluturuar për në Kosovë, transmeton Albinfo.ch.

Por, nuk është vetëm kjo. Zakonisht ushtarët barten me aeroplanin transportues ushtarak Hercules, ndërsa kësaj here kjo ndodh me një aeroplan udhëtarësh në pronësi polake, të tipit Boeing 737, me çmim të lirë (Low cost), që operohet nga forcat ajrore daneze. Poenta e kursimit këtu qëndron në faktin se një Herculesi do t`i duheshin tri fluturime për t`i bartur të gjithë ushtarët, të cilët sot janë bartur me vetëm një fluturim. (Albinfo.ch)