Atleticos nuk i pëlqen barazimi

Kapiteni i Atletico Madridit, Gabi insistoi se skuadra e tij ishte në kërkim të fitores nga fillimi e deri në fund të barazimit pa gola 0:0 me Chelsean në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve në Vicente Calderon.

Sport

23/04/2014 00:03

Kapiteni i Atletico Madridit, Gabi është shprehur i pakënaqur me rezultatin 0:0 pas duelit të parë me Chelsean në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

Skuadra spanjolle kishte më tepër nga iniciativa e lojës në Vicente Calderon por nuk gjeti rrugëdalje në mbrojtjen e ngjeshur të Chelseas që u mbrojt me një numër të madh futbollistësh e shpeshherë pati vetëm sulmuesin Fernando Torres në pjesëfushën e kundërshtarit.

“Atletico deshi të fitonte nga fillimi deri në fund”, deklaroi kapiteni Gabi pas ndeshjes.

“Ne e dinim se ata nuk do të pranonin gol lehtë, andaj u larguam nga fusha me një shije të hidhur. Do të mundohemi të fitojmë në fushën e Chelseas”, u shpreh ai.

Gabi nuk do të jetë në gjendje t’i ndihmojë ekipit të tij në Stamford Bridge pasi u ndëshkua me karton të verdhë dhe u suspendua për duelin e kthimit.