ATK paralajmëron inspektime edhe në dasma

Administrata Tatimore e Kosovës do të zhvillojë aktivitete shtesë gjatë sezonit të verës me qëllim që të sigurojë një nivel të lartë të përmbushjes tatimore.

Lajme

05/07/2018 12:14

ATK përmes një komunikate për media ka njoftuar se në kuadër të aktiviteteve është e fokusuar në tri çështjet kryesore: përmbushjen vullnetare, ofrimin e shërbimeve profesionale, si dhe trajtimin e barabartë të të gjithë tatimpaguesve.

“Si çdo vit tjetër ATK në sezonin e verës ka një plan të veçantë të aktiviteteve, i cili zhvillohet brenda dhe jashtë orarit të punës,  kjo me qëllim të monitorimit sa më të mirë të veprimtarive rekreative, argëtuese-përfshirë organizimet nëpër hotele dhe restorantet, koncertet, dasmat si dhe veprimtari të ngjashme,  të cilat në këtë sezon janë më të theksuara”, thuhet në njoftim.

Sipas ATK-së, këto aktivitete ndërmerren në mënyrë që të sigurohen dëshmi të ndryshme, në lidhje me të hyrat që realizohen nga ky sektor.

“Bazuar në dëshmitë që krijohen gjatë këtyre aktiviteteve, si dhe bazuar në faktet e tjera që gjenden në mënyra të ndryshme, ATK bën vlerësimin e obligimeve të këtij sektori”, vijon njoftimi.

Gjatë periudhës janar-qershor 2018, sipas Administratës, tek sektori i lartcekur janë realizuar 1901 vizita, ku nga konstatimet e bërë janë lëshuar gjoba në vlerë 111 mijë e 325 euro.

“Menaxhimet i ATK-së do të vazhdoj më përkushtim t’i zbatoj të gjitha dispozitat ligjore, në mënyrë që secili tatimpagues të deklaroj drejt pjesën që i  takon me ligj”, përfundon komunikata e ATK-së.