ATK-ja përmbyll 17-vjetorin e themelimit me 4.6 miliardë euro të hyra

Administrata Tatimore e Kosovës, mbajti seminarin me tatimpaguesit e rajonit të Prishtinës rreth deklarimit vjetor dhe pasqyrave financiare, ngarkesës së kundërt të TVSh-së për furnizimin e shërbimeve në ndërtimtari etj.

Lajme

15/02/2017 12:22

Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Sakip Imeri, me këtë rast bëri të ditur se ky institucion po e përmbyll 17-vjetorin e themelimit me 4.6 miliardë euro të hyra, raporton Ekonomia Online.

Sipas tij, ky sukses erdhi si rezultat i bashkëpunimit të madh që kanë pasur me tatimpaguesit.

“Gjatë këtyre 17 viteve ne kemi arritur që të administrojmë mbi 4 miliard euro, nga të cilat 3 miliard janë tatime dhe mbi 1 miliard kontribute pensionale. Të gjitha këto të hyra janë rezultat i juaji. Gjatë kontakteve me tatimpaguesit ne kemi marrë shumë reagime posaçërisht në trajtimin e kërkesave tuaja për rimbursim dhe në kohëzgjatjen e kontrollit”, tha ai.

“Unë kam një kërkesë publike për ju, sot kemi shumë kanale të komunikimit, kemi shumë mundësi që ju të ndikoni në përmirësimin e shërbimeve që ne ofrojmë, dhe ju them që të shfrytëzoni të gjitha kanalet që të adresoni shqetësimet tuaja në mënyrë që edhe ne të rrisim efikasitetin”, theksoi Imeri.

Zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi, ka thënë se ATK-ja ka kontribuar që politikat fiskale dhe  programi i qeverisë të realizohet.

“Krejt kjo është rezultat i bashkëpunimit që kemi ndërtuar më tatimpaguesit dhe institucionet të tjera përkatëse. Çdo ndryshim dhe çdo politikë e re fiskale  është bërë në bashkëpunim me përfaqësuesit e bizneseve dhe me qytetarët. Pakoja e re Fiskale që është bërë në bashkëpunim me  bizneset edhe përfaqësuesit tuaj, kjo ka bërë që në kuadër të këtij bashkëpunimi ATK të arrij sukses. Këto politika do të sjellin përfitime për bizneset dhe në përgjithësi në zhvillimin ekonomik të shtetit”, ka thënë Krasniqi.