ATK-ja për tre muaj inkasoi rreth 95 milionë

Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Sakip Imeri, ka raportuar në Komisioni për Buxhet dhe Financa për raportin tremujor të të hyrave në ATK të këtij viti.

Lajme

27/04/2017 13:24

Ai ka theksuar se në ATK vetëm në periudhën e parë të këtij viti të hyrat kanë qenë 8 milionë euro më shumë se sa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

“Përfundimisht 2016-ta ka pasur 784 të zyrtarë që zhvillojnë aktivitetet në ATK, pra janë të punësuar, nga të cilët ka një strukturë të mirë. Janë 289 biznese që mbushin buxhetin e Kosovës me 51 për qind të të hyrave të përgjithshme. Janë përmbushur të hyrat 96 për qind që në raport me  periudhën e njëjtë vitin e kaluar kemi 8 milionë më shumë të hyra”, tha ai, raporton Ekonomia Online.

Imeri tha se të hyrat e përgjithshme kapin vlerën prej 94.9 milionë euro.

Sipas tij, TVSh-ja në strukturën e përgjithshme merr pjesë me më shumë se 4 milionë euro të hyra, ndërsa të ardhurat pensionale janë 30.26 për qind më shumë, 11.9 për qind nga ardhurat në korporata.

Ai theksoi se për tatimpaguesit që i shmangen tatimeve, inspektorët bëjnë kontrolle të vazhdueshme, ku vetëm për vitin 2017 kanë bërë 304 kontrolle.

Imeri ka thënë se numri prej 27 349 janë të punësuar që kanë deklaruar kompanitë, por që në këtë shifër nuk përfshihen të vetëpunësuar.

Ndërsa sa i përket fiskalizimit, ai ka thënë se janë 34 659 biznese që pajisur me arka fiskale.

Deputetja Besa Gaxherri nga LDK-ja tha se raporti është shumë përmbajtjesor dhe paraqet gjendjen reale. Sipas saj, në krahasim me vitet e kaluara është një raport i kompletuar.