ATK-ja njofton për rimbursimin e kuponëve fiskal

Administrata Tatimore e Kosovës, jnjofton rreth aplikimit për rimbursim nga kuponët fiskalë për TM4/2017 (tetor, nëntor, dhjetor 2017).

Lajme

29/12/2017 11:47

Aplikimi për rimbursim të mjeteve nga grumbullimi i Kuponëve Fiskalë për TM4/2017, fillon nga data 01 janar 2018 deri më 31 janar 2018.

Aplikimi bëhet duke plotësuar aplikacionin për rimbursim të mjeteve nga grumbullimi i kuponëve fiskalë. Aplikacioni duhet të plotësohet në mënyrë elektronike përmes ueb-faqes së Administratës Tatimore të Kosovës www.atk-ks.org në linkun Shërbime Elektronike – Aplikacioni për Kuponë Fiskalë. Aplikimi bëhet vetëm një herë për të njëjtën periudhë duke u bazuar në Numrin Personal të aplikuesit.

Fituesit potencialë do të rimbursohen me dhjetë për qind (10%) të vlerës së deklaruar, por jo më shumë se njëqind euro (100 €).

Numri minimal i kuponëve fiskalë të dorëzuar duhet të jetë 60 kuponë, me shumën minimale dyqindepesëdhjetë euro (250€).

Numri Potencial Fitues do të gjenerohet nga sistem i ATK-së në bazë të një algoritmi të përcaktuar nga ATK-ja, duke u bazuar në numrin e plikos, emrin dhe mbiemrin (në rastet kur qytetari posedon dy mbiemra do të merret për bazë vetëm i pari) e qytetarit.

Pas përfundimit të afatit të aplikimit, në njërën nga datat 1 deri më 10 të muajit pasues, ATK-ja do të organizojë tërheqjen e fituesve potencialë (FP), përmes Radio Televizionit Publik të Kosovës.

Pas përfundimit të procesit të tërheqjes së Numrave Potencialë Fitues, qytetarët të cilët posedojnë Numrin Potencial Fitues të përzgjedhur nga tërheqja, plikon me kuponë fiskalë së bashku me të dhënat e aplikimit duhet të dorëzojnë fizikisht të mbyllur, në njërën nga Drejtoritë Regjionale të ATK-së, brenda afatit prej pesë (5) ditë pune pas publikimit të listës në ueb-faqe të ATK-së.