ATK-ja mbledh të hyra më shumë sesa që kishte planifikuar

Administrata Tatimore të Kosovës është duke u rritur vazhdimisht performancën në mbledhjen e të hyrave.

Lajme

12/03/2018 11:40

Vetëm për muajin Janar-Shkurt të vitit 2018 nga të hyrat e rregullta janë mbledhur 78.9 milion euro, njofton ATK.

“Në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kemi rritje për 10.6 milion euro apo 15.5 %.   Ndërsa, në raport me planin janë mbledhur 7.4 % më shumë të hyra. Të hyra të njëhershme nga FKPK (Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës) gjatë muajit Janar janë arkëtuar 9.9 milion euro”.

“Po ashtu, gjatë kësaj periudhe janë arkëtuar mbi 23.1 milion euro të hyra për FKPK. Pra, gjithsej të hyra gjatë kësaj periudhe raportuese (Tatimet, FKPK dhe nga të hyrat e njëhershme nga FKPK) janë në vlerë prej mbi 111.9 milion euro”.

Sipas ATK, rezultat për rritjen e të hyrave janë avancimi i shërbimeve ndaj tatimpaguesve, të cilat kanë lehtësuar në masë të madhe deklarimin dhe pagesën e tatimeve, si dhe kanë ngritur nivelin e përmbushjes vullnetare. Po ashtu, rol të rëndësishëm ka edhe pjesa e legjislacionit tatimor, përmes së cilit bëhen përpjekje të vazhdueshme që të krijohet një infrastrukturë e mirë ligjore.