Atentati në Tiranë, 10 mijë euro kush jep informacion

​Policia e Tiranës ka zbardhur atentatin e ndodhur mbrëmë në Tiranë, në zonën pranë ish ekspozitës. Policia ka ngritur dyshimet e para mbi autorësinë e krimit, ndërkohë që për çdo informacion shtesë ka vendosur një shpërblim prej 10 mijë Eurosh për këdo që di diçka mbi ngjarjen në fjalë, duke garantuar anonimatin e personit.

Lajme

02/10/2015 17:07

“Më datë 01.10.2015, ora 20:00, në zonën e lulishtes “1 Maji” është marrë njoftim se janë dëgjuar të shtëna armësh. Menjëherë Policia ka shkuar në vendngjarje dhe ka konstatuar një automjet tip BMW me targa AA 675 JS”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Tiranës.

Policia bën të ditur se nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se në vendine ngjarjes gjendeshin dy viktima, si edhe nga informacionet e marra një shtetas i tretë i plagosur ishte dërguar në spital për të marrë ndihmën e shpejtë mjekësore nga disa kalimtarë të rastit.

Policia bëri të mundur identifikimin e shtetasve dhe rezultoi se ishin dy viktima një i seksit mashkull, i identifikuar si shtetasi 1-Kevin Rugova, 23 vjeç, banues në Tiranë, i cili gjendej jashtë automjetit, i shtrirë përtokë, ndërsa viktima e dytë u identifikua si shtetasja 2-Aurora Oskian, banuese në Tiranë, e cila ishte pasagjere në vendin e parë në automjet.

Gjithashtu personi i cili ka mbetur i plagosur është identifikuar si shtestasi 3-Elvis Gaçaj, 40 vjeç, banues në Tiranë (me precedent të mëparshëm penal), i cili ishte edhe drejtuesi i mjetit me të dhënat e mësipërme. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi gëzhojash të cilat dyshohen të jenë qitur nga një armë automatik kallashnikov.