Astrit Haraqija pranon se rregulloi 40-80 viza italiane

Ish-ministri i Kulturës, Astrit Haraqia, i cili po akuzohet se siguroi klientë për viza për grupin e Ukë Rugovës, ka pranuar se është marrë me rregullimin e vizave për simpatizantë e anëtarë të partisë së tij. Në një bisedë për KALLXO.com Haraqia ka pranuar se ka lehtësuar procesin e marrjes së vizave.

Lajme

26/05/2016 18:46

“Pas arrestimit e kam thënë edhe publikisht se kemi bërë diku 40  deri në 80 viza njerëzve të Gjakovës, raste qoftë humanitare, për shembull çështje shëndetësore ose ekonomike, i kam përkrah për viza edhe nuk m’u ka dukur asgjë tmerr për arsye se ne kemi suportuar njerëz nga viti 1995, nuk ka qenë diçka e re për mu”, thotë Haraqia.

“Të gjithë ministrat e zëvendësministrat e Kosovës ndërmjetësojnë për viza”, thotë Astrit Haraqia në një bisedë për KALLXO.com.

Haraqia mohon pretendimet e Prokurorisë se veprimtaria e tij ishte ilegale. Madje pretendon se të gjithë ministrat e zëvendësministrat e Kosovës ndërmjetësojnë për viza.

“Edhe sot unë nuk e di cili ministër ose zëvendësministër nuk e suporton dikë nëpër ambasada për me marrë një vizë. Edhe unë nuk jam pishman për atë që e kam bërë edhe jam më se i sigurt që kush 1 euro nuk ma ka dhënë”, shton ai.

Ish-ministri i Kulturës përballet me aktakuzë të prokurorisë që nga java e kaluar. Prokuroria pretendon se roli i Haraqisë në grupin e Ukë Rugovës ishte për të siguruar klientë për grupin. Siç shkruhet në aktakuzë, dëshmitarë të shumtë kanë dhënë prova se ai ishte duke rregulluar viza italiane për ta.