Asociacioni i Komunave, sfida e dialogut

Kosova dhe Serbia sfidojnë njëra- tjetrën rreth bazës ligjore të Asociacionit të Komunave të Kosovës, kompetencave të tij dhe përfaqësimit eventual ndërkombëtar.

Lajme

06/12/2013 10:19

Draftdokumenti i palës kosovare synon ta bëjë Asociacionin e Komunave Serbe një asociacion që u përgjigjet ligjeve të vendit, derisa Serbia këmbëngul që Asociacioni të funksionojë edhe sipas ligjeve të Serbisë.

Njohës të mekanizmave të tillë thonë se në këtë rast Bashkimi Evropian duhet t’ua paraqesë një plan të vetin palëve në bisedime.

Dokumenti mbi të cilin po negocion pala kosovare me autoritetet e Serbisë në Bruksel, rreth Asociacionit të Komunave serbe e përcakton atë me një model-statut prej shoqate e cila nuk përfshin kompetenca ekzekutive dhe që kontrollohet nga dy dikasteret qeveritare, Ministria e Pushtetit Lokal dhe Ministria e Administratës Publike.

Ky draft dokument, një kopje të të cilit e ka parë Radio Kosova parasheh që Asociacioni të ketë rol konsultues rreth buxhetit dhe policisë dhe nuk parasheh përfaqësim ndërkombëtar.

Por, sipas njohësve të strukturës së asociacioneve, për një shoqatë që nuk prek interesat e një shteti nuk është e nevojshme të negociohet.

Sazan Ibrahimi, drejtor Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, thotë se nëse këtij Asociacioni i lejohet dhe të funksionojë sipas ligjeve të Kosovës dhe Serbisë, ai do të jetë përtej një asociacioni.

“Problemi më i madh është që në marrëveshjen e Brukselit thuhet decidivisht që ky Asociacion do të jetë funksional duke u bazuar në ligjet e Kosovës, por edhe në ligjin kushtetues të Serbisë. Tash ligjin kushtetues të Serbisë pala serbe duan ta ndryshojnë dhe ta fusin këtë asociacion në ligjin e tyre kushtetues”, ka thënë Ibrahimi për Radio Kosovën.

Rreziku tjetër sipas Ibrahimit është se ky Asociacion do të vendos për një pjesë të buxhetit të përcaktuar në atë që quhet Fondi për Zhvillim.

“Ata të gjitha financat që kanë për Kosovë do t’i orientojnë përmes këtij Asociacioni. Në asnjë mënyrë në Kosovë me ligjet ekzistuese një mekanizëm jo qeveritar nuk mund të vendos për një gjë të tillë, por Asociacionit i është lejuar kjo mundësi”, ka thënë Ibrahimi.

Për të mos u sfiduar rregullimi kushtetues i Kosovës, sipas Ibrahimit do të ishte e udhës që Bashkimi Evropian të dilte me një propozim të vetin. Ky propozim nga BE sipas tij nuk do të dilte jashtë materies që ka përcaktuar Konventa Evropiane për Vetëqeverisje Lokale.

Njëri nga anëtarët e ekipit negociator rreth temës së Asociacionit të Komunave serbe, Besnik Osmani sekretar i përhershëm i Ministrisë së Pushtetit Lokal thotë se model-statuti i Asociacionit nuk do të jetë përtej një OJQ’je.

“Do të jetë organizatë jo publike, jo qeveritare e regjistruar sipas procedurave dhe ligjit për të drejtën e asocimit pranë Ministrisë së Administratës Publike. Do të ketë të drejtat dhe obligimet e veta që i ka paraparë me statut dhe ky statut nuk guxon të jetë në kundërshtim me legjislacionin primar”, i ka thënë Osmani Radio Kosovës.

Aktualisht palët po diskutojnë për dy dokumente njëri i Kosovës që nuk i jep kompetenca këtij asociacioni më shumë se një OJQ’je. Ndërsa ai i palës serbe që kërkon që ky asociacion të punoj me ligje të Kosovës dhe Serbisë që kërkon të vendos për fondin veriut e mbi të gjitha të lejohet të ketë përfaqësim ndërkombëtar jashtë Kosovës.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian ndërmjetësues në këtë dialog nuk kanë konfirmuar t’u kenë paraqitur palëve ndonjë plan të tyre. Ndërsa palët ende duken larg përafrimit të qëndrimeve rreth fushëveprimit të këtij Asociacioni, i cili përbën një nga elementet më sfiduese të marrëveshjes së prillit të arritur në Bruksel.