Asociacioni i Komunave Serbe, pas zgjedhjeve

Milovan Drecun thotë se Asociacioni i Komunave Serbe në Kosovë do të themelohet pas Zgjedhjeve Parlamentare. Sipas tij, Prishtina po ulë dinamikën e bisedimeve me Beogradin, si pasojë e këtyre zgjedhjeve.

Lajme

31/03/2014 11:11

Kryetari i Këshillit Parlamentar për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, Milovan Drecun, ka deklaruar se Asociacioni i Komunave Serbe do te themelohet pas Zgjedhjeve Parlamentare në Kosovë, që pritet të mbahen në maj ose qershor.

Në një intervistë për B92, Drecun tha se autoritetet në Prishtinë po e zvarrisin themelimin e këtij Asociacioni, që sipas tij, “është në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit”.

“Ata do të vazhdojnë ta mbajnë këtë politikë, përderisa nuk i përfundojnë zgjedhjet e tyre. Sa i përket palës kosovare, rruga për formimin e Asociacionit do të jetë hapur vetëm pas mbajtjes së zgjedhjeve”.

Sipas vlerësimit të tij, Zgjedhjet e jashtëzakonshme Parlamentare në Kosovë do të ngadalësojnë bisedimet me Serbinë.

“Këto zgjedhje do t’i zvarritin bisedimet me Serbinë, pasi që Prishtina duhet të veprojë në favor të opinionit shqiptar në Kosovë”.