Asociacioni do të themelohet pasi të shuhen strukturat paralele të Serbisë

Zyrtarët e Qeverisë së Serbisë kanë kërkuar formimin sa më të shpejtë të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin e ka quajtur “Asociacion të fuqishëm”. Por sipas Qeverisë së Kosovës, kjo do të ndodhë kur të shuhen strukturat paralele.

Lajme

19/03/2015 08:22

Por, Qeveria e Kosovës ka thënë se ky presion s’do të ketë kurrfarë efekti në agjendën e tyre.

“Ne si Qeveri kemi paraqitur qëndrimet tona në Bruksel rreth Asociacionit. Para se të shuhen të gjitha strukturat ilegale në Kosovë, para se të zbatohen të gjitha marrëveshjet, në veçanti ajo për Drejtësi, para se të shuhet e ashtuquajtura ‘Mbrojtja civile’ dhe para se të hiqet barrikada mbi lumin Ibër, çështja e Asociacionit nuk mund të vihet në rend dite”, ka thënë për “Zërin”, ministrja Edita Tahiri.

Ajo ka shtuar se “ky asociacion do të themelohet në pajtim të plotë me ligjet ekzistuese të Kosovës dhe se nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe as mbikëqyrëse, por thjesht do të ketë funksione koordinuese dhe konsultative për nevojat e komunave”.