Askush nuk merret me grevistët e administratës së gjyqësorit, gjykatat nuk pranojnë palë

Punëtorët e administratës së gjykatatave dhe prokurorive kanë filluar sot grevën e përgjithshme të tyre.

Lajme

04/07/2018 10:45

Ashtu siç edhe ishte paralajmëruar gjatë ditës së hënë përmes një komunikate për media, këta punëtorë kanë filluar grevën deri në plotësimin e kërkesave të tyre, shkruan lajmi.net.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Judikaturës, Asllan Rusinovci, ka thënë për lajmi.net se ende askush nuk i ka kontaktuar për tu marr me kërkesat e tyre, ndërkohë që nuk dihet se sa do të zgjasë kjo grevë.

“Ende jo, se sa zgjat nuk e di se nuk e kemi kufizu, na kemi fillu dhe të shikojmë”, ka thënë Rusinovci.

Tutje, ai tha se kërkesat e tyre tashmë janë të qarta, ato për rritjen e pagave  si dhe për trajtimin e dinjitetshëm të punëtorëve të administratës.

“Kërkesat janë 100 për qind rritja e pagave dhe me rastin e ligjit të ri tash që është në amendamenti duhet të trajtohet dinjitetshëm administrata gjyqësore dhe prokuroriale”, shtoi Rusinovci.

Ai po ashtu bëri të ditur se palët nuk do të pranohen nëpër gjykata, ndërkaq që me punë do të vazhdohet vetëm me rastet urgjente.

“Palët nuk pranohen, vetëm rastet urgjente ato që janë para burgjeve, ndërprerja vazhdimi duhet të kryhen, përndryshe punët e rregullta nuk kryhen”, përfundoi Rusinovci.

Vlen të theksohet se që prej vendimit të Haradinajt për rritje pagash, Qeveria Haradinaj është përballur me paralajmërime të shumta për greva nga sindikatat e shumta, duke përfshirë edhe ato të shëndetësisë dhe arsimit. /Lajmi.net/