Askush nuk i komenton deklaratat e Stoltenbergut për mosprezencën e FSK-së në veri

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, edhe sot ka ripërsëritur se FSK-ja nuk mund të hyjë në veri të vendit pa pëlqimin e KFOR-it.

Lajme

13/02/2019 15:01

Deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, se Kosova është një dhe nuk ka veri e jug, ka bërë që përsëri të reagojë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

“Ne i kemi ofruar NATO-s një protokoll të ri, më nuk ka veri e jug, është një Kosovë, duhet ta kuptojmë të gjithë, edhe presidenti edhe unë edhe të gjithë. Nuk ka më specifike a është veri a jug, Kosova nuk është e interesuar të krijojë doktrinë me qit ushtrinë kundër popullit të saj”, ka thënë Haradinaj dje pas mbledhjes së Qeverisë.

Pas këtyre deklaratave Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e ka ripërsëritur edhe sot se Forca e Sigurisë së Kosovës nuk mund të hyjë në veriun e Kosovës pa pajtimin e NATO-s, duke vënë në dukje se ky është një detyrim ndërkombëtar i autoriteteve të Kosovës.

“Ne kemi një marrëveshje në Bruksel të vitit 2013 që e thotë qartë se FSK-ja nuk mund të shkojë në veri pa pëlqimin e komandantit të KFOR-it dhe ne presim që kjo marrëveshje të jetë ende e vlefshme”, theksoi Stoltenberg.

Stoltenberg tha gjithashtu se misioni i KFOR-it do të mbetet i pandryshuar, pasi që kjo forcë operon në bazë të rezolutës 1244 të Këshilli të Sigurimit të OKB-së.

“Ajo që ne po shqyrtojmë janë aktivitetet jashtë misionit të KFOR-it. Kemi projekte me FSK-në dhe ne do të analizojmë shkallën e angazhimit bazuar në faktin se shumë aleatë mendojnë se vendimi për FSK-në është marrë në kohë të gabuar”, tha Stoltenberg.

Lajmi.net, ka provuar që të marrë përgjigje edhe nga Qeveria e Kosovës në lidhje me deklaratat e Sekretarit Stoltenberg, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur.

Në lidhje me këtë as zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes nuk kanë pranuar që të flasin për lajmi.net.

Lajmi.net po ashtu ka provuar që të marrë një përgjigje edhe nga Forca e Sigurisë së Kosovës në lidhje me deklaratat e Sekretarit Stoltenberg, por as në FSK nuk kanë pranuar  të flasin.

E vetmja përgjigje që zyrtarët i kanë dhënë lajmi.net, ka qenë se në lidhje me shkuarjen e FSK-së në veri është përgjigjur kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj gjatë ditës së djeshme. /Lajmi.net/