Askush nuk e kuptoi Anton Çettën

Ishte një artikull për pajtimet e gjaqeve në Has shkaku që mu drejtua: "Nëse ky popull nuk meriton lirinë, atëherë kush"?, më pyeti sypërlotshëm daja im, mësues, Segjedin Kasami.

Lajme

28/03/2017 19:14

U habita. E njihja si më lojalin e shkollës së Kumrovcit. Ika në “mashne” (kasolle e kafshëve) dhe ia nisa të qajë dhe të këndojë: “Enver Hoxha tungjatjeta”.

Të nesërmen në Shkup. Me disa miq të mi të Çegranit hyra në një kafe. E njoha Zoranin. Një gardian sadist që na terrorizonte në burgun e shutkës. U nxi. Këtij gjatë demonstratave në Kosovës ia kishin prerë gishtat e këmbëve me “sakicë”. Gati sa hyni ndër tavolinë. Djersët i shkonin si lumë. Iu afrova. Ia shtriva dorën. Jo vetëm dora por i gjithi dridhej. Qau. “Më fal tha”. I thash a e njeh Anton Çettën? Jo tha. Ia porosita një birë. U ula me të dhe folëm. “7 jetë t’ia kam borxh”, më tha. Jo i thashë. Asnjë jetë. Vetëm një gjë ma ke borxh: kur të më shohësh të afrohesh dhe të ma shtrish dorën.

Aksionet e pajtimit të gjaqeve ishin ndodhia më kulminante e frymës shqiptare.

Ishte një cezurë e papame, papërsëritshme dhe papërjetueshme në ndonjë shoqëri. Jo për shkak se pajtonte familje të hasmëruara që sipas kodit e kanunit burgosnin dorasët, porse përcjellte sinjalin universal se: vetëm e mira triumfon mbi çdo gjë. Pajtimi. Jo me të keqen e ndodhur, jo me krimin, por me jetën. Pajtim dhe respekt që edhe kriminelin më të madh e emancipon: Hë ja ta fali, qaj dhe më pëqafo.

Prandaj nuk pajtohem me aksionin e “Pajtimit” të Hashim Thaçit. Shqiptarët duhet t’i zbardhin krimet dhe ta ringjallin Anton Çettën, jo për marketing se nuk vjen, por për ta ulur në një tavolinë “titistin” me “enveristin”, “viktimën” me “xhelatin” duke ua bërë me dije se pa pajtim s’ka ardhmëri. Duhet u numëruar secilit të mirat njëri tjetrit dhe gabimet për të cilat duhet të kërkojnë falje.

Pa pajtim ndërshqiptar nuk ka pajtim me tjerët, botën. E se pajtimi është ilaçi i çdo plage sado të rëndë mund ta shihni në fytyrën e plakut Anton Çetta.