Askush dhe asgjë s’mund ta bashkojë politikën shqiptare

Radikalizimi i politikës shqiptare në Kosovë dhe destabilizimi i Kosovës, është interes jetik i Serbisë, sepse në këtë mënyrë Beogradi synon të fuqizojë qëndrimin e vet që Kosova është shtet i paqëndrueshëm dhe pa perspektivë historike.

Lajme

05/01/2017 14:49

Viti i ri në Kosovë nisi pak a shumë ashtu si përfundoi viti 2016-të.

Tek e mbrama, do të ishte befasi e madhe po të ishte ndryshe. Fatkeqësisht, problemet nuk njohin pushim dhe festë. Por vetëm zgjidhje ose ndërlikime të mëtejme. Dhe ato (probleme), kur nuk adresohen si duhet, vetëm sa rriten dhe bëhen edhe më të rënda.

Problemit të trashëguar nga dhjetori, apo, atij të murit matanë urës mbi lumin Ibër e cila do të duhej të çelej për qarkullim me 20 janar, iu shtua edhe ky i fundit, i ndalimit të Ramush Haradinajt, nga autoritetet franceze, në bazë të Fletarrestit të Serbisë, të vitit 2004.

Këndejpari kanë lëshuar rrënjë  (madje), problemet me Shenjimin e kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, ai i Asociacionit/ Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, ndërsa së fundit, po del që edhe Ligji i amandamentuar për veteranët e UÇK-së do të bëhet një ‘mollë sherri’ në politikën kosovare.

Në fakt, në mandatin e këtij legjislacioni, mbahet në mend që vetëm Ligji për ‘Trepçën’, në masë të madhe ka bashkuar deputetët dhe partitë politike që janë të pranishme në Kuvendin e Kosovës, por jo të gjitha. Pos këtij Ligji, madje as Ratifikimi i Marrëveshjes së MSA-së  (Stabilizim-Asociimi), nuk kishte arritur të siguroj pëlqimin e të gjithjë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Kemi të bëjmë pra me një skenë politike thellësisht të përçarë, të çoroditur, aktualisht, pa kurfarë nismash që disi të mbërrihet tek qëndrimet e përbashkëta për çështjet me rëndësi strategjike për shtetin e Kosovës. S’do mend që sa të ketë politikë në Kosovë, do të jemi dëshmitarë të përplasjeve për temat ekonomike dhe sociale, për shkallën e zhvillimit ekonomik, për nivelin e papunësisë, për korrupsionin dhe krimin ekonomik. Edhe nëse ndonjëherë mbërrijmë te një Qeveri e cila do të ndryshojë thelbësisht trajtimin e të gjitha këtyre temave jetike, do të ketë deputetë, politikanë dhe qytetarë që do të jenë të pakënaqur me performansën e Qeverisë. Ashtu edhe duhet të jetë. Dialogu politik, edhe nëse merr trajtën e konfrontimit të hapur për këto tema, veçsa mund të përmirësojë gjendjen në këto fusha. Por tek ne në Kosovë, jemi të gatshëm sa çel e mëshel sytë ta kthejmë Kuvendin e Kosovës në fushëbetejë të mirëfilltë, edhe për temat dhe çështjet që në parim, do të duhej të na bashkonin, qoftë edhe në kërkimin e alternativave më të mira për zgjidhjen e problemeve të cilat siç e dimë të gjithë ne, janë bërë pengesa të mëdha në ecjen para të kësaj shoqërie, të këtij shteti.

Nuk është aspak për tu habitur pse Qeveria e Serbisë instalon probleme të reja në Veri të Kosovës  (me mur), apo kudo ku mbërrinë në vendin tonë, sepse në këtë mënyrë, Beogradi zyrtar e di fare mirë që me ‘investimet’ e veta shkakton tensione të reja politike në Kosovë midis partive dhe politikanëve shqiptarë. Radikalizimi i mëtejmë i politikës shqiptare në Kosovë dhe destabilizimi i Kosovës, i shkaktuar nga brenda, prej vet nesh në politikën vendore, është interes jetik i Serbisë, sepse në këtë mënyrë Beogradi synon të fuqizojë qëndrimin e vet që Kosova është shtet i paqëndrueshëm, i panatyrshëm, pa perspektivë politike dhe historike. Në vijim, krijimi i shtetit të Kosovës së të tillë, do të duhej të shihej e të vlerësohej, gjithnjë sipas politikës zyrtare të Serbisë, si gabim i madh i Perëndimit  (mbi të gjitha i SHBA-së), i cili do të duhej të përmirësohej.

Por kështu si jemi tani, në këtë politikën kosovare, ne nuk kemi fare kohë të mirremi me këtë mësymje, gjithnjë e më të qartë të Serbisë ndaj Kosovës. Tek e mbrama, ne nuk po jemi në gjendje të trajtojmë si duhet edhe një shenjim të kufirit me një shtet fqi  (Malin e Zi), që është dëshmuar tash e tetëmbëdhjetë vjet si një shtet mik, e lëre më të mirremi si duhet me politikën e provokimeve të vazhdueshme të Serbisë ndaj nesh.

Në temat dhe çështjet e këtij lloji pra, Kosova si shtet do të duhej të kishte përgjigje të përbashkëta politike, të cilat do të dëshmonin që këndejpari dihet të veçohet fare mirë interesi shtetëror prej atij që ka të bëjë me sprovat e zhvillimit të brendshëm politik dhe ekonomik.

Por, si qëndrojnë punët tani, nuk ka gjë në Kosovë, në rajon dhe në Botë që mund ta bashkojë politikën kosovare.

(Autori është opinionist i rregullt i portalit lajmi.net)