ASK e kënaqur me procesin e regjistrimit të bujqësisë

Sot, në ditën e dhjetë të Regjistrimit të Bujqësisë Agjencioni i Statistikave të Kosovës (ASK), së bashku me Komisionin Komunal të Regjistrimit, monitoruan punën që po zhvillohet në terren. Monitorimin e zhvilluan në Komunën e Pejës, përkatësisht në fshatrat Qyshk dhe Loxhë. 

Lajme

10/11/2014 16:04

Procesi i Regjistrimit të Bujqësisë po vazhdon pa asnjë problem, tani gjendja është stabilizuar dhe ka shumë më pak refuzime nga ana e ekonomive familjare. Veçse katër komunat në veri të Kosovës vazhdojnë të mbesin jashtë projektit për Regjistrim të Bujqësisë.

Kryeshefi ekzekutiv i ASK-së, Isa Krasnqi, Regjistrimin e Bujqësisë e vlerësoi si shumë të rëndësishëm, e për rrjedhën e procesit tha se po shkon pa asnjë problem.

Ndërsa, për katër komunat në veri, Krasniqi tha se në rast se lajmërohen për regjistrim, ASK është e gatshme t’i fusë në proces.

 “Sa i përket ecurisë së procesit të Regjistrimit të Bujqësisë, tashmë ky proces është stabilizuar mjaftë mirë, procesi po rrjedhë jashtëzakonisht mirë, fillimisht kanë qenë disa probleme të vogla qe i patëm potencuar gjatë konferencave tre ditore të Regjistrimit të Bujqësisë dhe tashmë i tërë projekti i marrjes së të dhënave është stabilizuar, ka shumë më pak refuzime, ka shumë më pak probleme. Ndërsa sa u përket katër komunave veriore të Republikës së Kosovës, ne e kemi thënë edhe gjatë konferencës e themi edhe sot, se në momentin kur komisionet komunale të regjistrimit, të udhëhequra nga kryetarët e komunave, në ato katër komuna veriore të Republikës së Kosovës, do të jenë të gatshme deri afër fundit të procesit të Regjistrimit të Bujqësisë, ne do të jemi të gatshëm që t’i kyçim ato dhe t’i regjistrojmë”, ka thënë ai.

Krasniqi shtoi se kanë dërguar mesazhe dhe janë përpjekur përmes formave të ndryshme që t’iu bëjnë thirrje atyre komunave për tu bërë pjesë e projektit.

Krasniqi bëri të ditur, se në qoftë se katër komunat e veriut nuk marrin pjesë në Regjistrimin e Bujqësisë, mbesin pa të dhëna shumë të rëndësishme, që siç tha ai, është në dëm të qytetarëve të asaj pjese. Gjithashtu, sipas tij një mangësi tjetër është, se pastaj të dhënat në nivel vendi për ato katër komuna do të mungojnë.

E bujqit në këtë anë duken të jenë të kënaqur me Regjistrimin e Bujqësisë. Veçse, thonë se do t’iu ndihmonte shumë edhe një përkrahje më e madhe nga ana e institucioneve relevante.

Selman Shala, nga fshati Qysh i Pejës, i cili e priti ASK-në sot për Regjistrim të Bujqësisë, vlerësoi shumë projektin e Regjistrimit të Bujqësisë, që siç tha ai me një regjistrim të tillë dihet saktësisht sa ka sipërfaqe të punueshme në Kosovë, sa ka fermerë dhe me çfarë kulture punojnë në përgjithësi.

 “Me një mbështetje më të madhe do të kishim mujt me mbërri edhe ma shumë, përse mos të ketë prodhime vendore, të zbresim sa më shumë importin… Brenga më e madhe e ne fermerëve sipas meje, është kontrollimi sa më i rreptë i produkteve që vijnë nga importi, e sidomos i këtyre imputeve të ndryshme, pesicideve të ndryshme, që vijnë pa kontroll”, ka thënë ai.

Shala ka 60 ari në serra në ambient të mbyllur, ndërsa kultivon patate, qepë, lakër e perime të tilla, po ashtu ka edhe një pemishte.

Ndërsa, Hysen Salimorina, nga fshati Loxhë, i cili merret me blegtori, tregon se toka po punohet mjaftë mirë. Ai thotë se me përkrahje do të mund të përmirësonte edhe më shumë veprimtarinë e tij.

 “Toka po punohet shumë mirë, mirëpo nafta pak shtrenjtë po kushton, edhe farërat, vështirësi po kemi, mirëpo falë atyre po prodhojmë boll, po fitojmë mirë nuk është keq. Ja vlen ky regjistrim edhe njerëzit me u interesuar në bujqësi, me e përdorë bujqësinë e të punosh qysh duhet, ja vlen”, ka thënë ai.

Projekti për Regjistrimin e Bujqësisë do të lehtësojë shumë punën e Ministrisë së Bujqësisë. Nga ky projekt do të dalë një pasqyrim i qartë i ekonomive familjare bujqësore.

Ekrem Xhokaj nga Ministria e Bujqësisë, tha se kjo ministri është e interesuar që ky projekt të zhvillohet e të përfundojë në mënyrën më të mirë.

 “Për Ministrinë e Bujqësisë, ky është prej projekteve më të rëndësishme, për atë arsye Ministria e Bujqësisë është e interesuar dhe e përkushtuar që ky proces të zhvillohet sa më mirë dhe sa më drejtë, në mënyrë që të kemi të dhëna të sakta për atë se çka kultivohet në Kosovë, cilat kultura, do të thotë cilat kategori të kafshëve kultivohen në Kosovë, sa ka sipërfaqe të tërësishme, në mënyrë që të jemi në gjendje të përgatisim programe e pika adekuate për fushate caktuara”, ka thënë ai.

I kënaqur me procesin e Regjistrimit të Bujqësisë mbetet edhe kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.

 “Është një proces i rëndësishëm, pasi që Komuna e Pejës ka një prej prioriteteve zhvillimin e bujqësisë, do të marrim të dhëna të sakta për me mujt me bërë subvencionimet në lëmit që kërkojnë fermerët, por edhe që ofrojnë kushtet për zhvillimin e bujqësisë në Komunën e Pejës”, ka thënë ai.

Regjistrimi i Bujqësisë ka filluar me 1 nëntor të këtij viti, e që do të zgjas deri më datën 20 të këtij muaji.

Ndryshe, projekti i Regjistrimit të Bujqësisë është financuar nga Qeveria e Kosovës dhe nga donatorë të ndryshëm, si Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Bashkimi për Zhvillim – Ambasada e Suedisë – SIDA, Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar – DFID, Zyra Zvicerane për Bashkëpunim, Qeveriae Danimarkës dhe Ambasada e Dukatit të Madh të Luksemburgut. Ky fond quhet Fondi Mirëbesimit dhe menaxhohet nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Mbështetjen e Projekteve (UNOPS). Kostoja totale e projektit është afro 4.7 milionë euro. Nga projekti i Regjistrimit të Popullsisë kanë mbetur 2.2 milionë euro. Pjesa tjetër rreth 2.5 milionë euro është siguruar nga Qeveria e Kosovës dhe nga donatorët. Kjo kosto përfshin periudhën 2012-2015, transmeton KosovaPress.