ASK: Bien çmimet e konsumit për 0.8 për qind

Gjatë muajit prill kanë pësuar rënie çmimet e konsumit për 0.8 për qind, krahasuar me muajin mars.

Lajme

13/05/2015 17:27

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), kjo rënie vërehet tek produktet siç janë qumështi, vezët, djathi, rryma dhe lëndët djegëse.

“Rënie e indeksit të harmonizuar të çmimeve të Konsumit vërehet te nëngrupet qumësht, djathë dhe vezë -1.0%, rrymë, gaz dhe lëndë djegëse të tjera -15.7%, aplikimi i tarifave verore të energjisë elektrike nga 1 prill deri më 30 shtator 2015. Këto dy grupe të konsumit ndikuan në rënien e indeksit të përgjithshëm për -1.1 për qind”, thuhet në statistikat e ASK-së.

Po ashtu, sipas këtyre analizave, rënia u neutralizua kryesisht nga ngritja e indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit tek nëngrupet si drithërat me 1.3%, mishi me 1.5% , pemët me 6.4%, perimet me 14.2%, duhani me 4.1% si dhe rryma, gazi dhe lëndë djegëse të tjera për 6.1%, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1.5 për qind në IHÇK.

Shkalla e inflacionit e matur në muajin prill 2015, me muajin prill 2014, ishte-0.4%, transmeton KosovaPress.