Asetet e sektorit bankar arritën vlerën 3.67 miliardë euro

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), ka njoftuar se Kosova pati performancë të mirë në sektorin bankar.

Lajme

31/10/2017 09:05

“Asetet e sektorit bankar shënuan rritje vjetore prej 7.0 përqind, duke arritur në 3.67 miliardë euro. Rritja e aseteve të sektorit bankar vazhdon të mbështetet kryesisht në përshpejtimin e rritjes së aktivitetit kreditues”, thuhet në raportin e BQK-së, për Vlerësimin tremujor të ekonomisë.

Sipas BQK-së, zgjerimi i aktivitetit kreditues të sektorit bankar vazhdon të mbështetet nga ecuria e depozitave, rritja e të cilave paraqet burimin kryesor të financimit të kreditimit në vend, transmeton RTKlive.

“Në qershor 2017, stoku i letrave me vlerë i sektorit bankar shënoi ngadalësim të rritjes në 1.4 përqind, nga 2.1 përqind sa ishte në vitin e kaluar. Ngadalësimi i rritjes në këtë kategori kryesisht i atribuohet rënies së investimeve në sektorin e jashtëm. Në qershor 2017, investimet në letrat me vlerë të qeverive të huaja shënuan rënie vjetore prej 7.1 përqind (10.1 përqind rritje në qershor 2016)”, thuhet në raportin e BQK-së, për Vlerësimin tremujor të ekonomisë.