Asamblistët shqiptar në veri, të shqetësuar për ndërtimin e murit

Ndërtimi i murit pak metra larg urës së lumit Ibër, nga serbët e pjesës veriore, i ka shqetësuar edhe dy asamblistët e komuniteteve jo serbë të cilët janë pjesë e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut.

Lajme

10/12/2016 12:53

Asamblisti nga radhët e AAK-së, Gëzim Alushi,  ka thënë se ky ndërtim ka për qëllim destabilizimin e gjendjes në këtë pjesë.

“Ndërtimin i këtij muri nuk e vlerësojmë se është një gjest i mirë, për ne kjo ka qenë mjaft shqetësuese dhe destabilizuese. Ne e kemi ditur se shëtitorja është duke u rregulluar por jo edhe muri, kjo doli tash këtu se edhe një mur po vendoset. Është duke u bërë rivitalizimi i urës dhe janë duke punuar, për neve ka qenë kënaqësi që janë larguar barrikadat, janë larguar pengesat në mënyrë që komuniteti jo shumicë dhe ai serb në këtë pjesë të lëvizin lirshëm në të dyja anët e lumit Ibër”, ka deklaruar Alushi

Ai e ka mirëpritur vendimin e Ministrisë së Planifikimit Hapësinor për t’i ndërprerë punimet në këtë pjesë. “Shpresojmë që kjo do të largohet pa asnjë pengesë, mirëpo, në qoftë se është projekt i BE-së, atëherë duhet ta dinë të gjithë qytetarët”, ka thënë në fund Alushi, shkruan zeri.info.

Edhe asamblisti nga komuniteti boshnjak i pjesës veriore të Mitrovicës, Nexhat Ugljanin, është shprehur i shqetësuar me ndërtimin i këtij muri duke kërkuar nga Ministria dhe BE-ja që të marrin masa./ lajmi.net