Asamblistët komunalë kërkojnë pagë më të lartë për 100 euro

Nga 1 Janari i vitit 2015 asamblistët e kuvendeve komunale në Kosovë kërkojnë që t’u rritet rroga mujore për 100 euro, në mënyrë që të rritet edhe përkushtimi i tyre në asamble.

Lajme

11/12/2014 17:29

Kështu bëri të ditur Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komunal të Gjilanit, e cila përmes një njoftimi tha se përfaqësuesit e kolegjiumit të kryesuesve të kuvendeve të komunave kanë mbajtur një takim dhe kanë kërkuar rritje të tillë, raporton KosovaPress.

Me këtë rritje, Bunjaku-Rexhepi thotë se do të prodhohet seriozitet më i madh në punë i asamblistëve  të kuvendeve komunale.

“Ne si kryesues të kuvendeve të komunave kemi kërkuar edhe më herët që rrogat e anëtarëve të kuvendeve të rriten mbi bazën që e kanë tani dhe unë mendoj që kjo patjetër duhet të ndodhë në mënyrë që asambleja të ketë më tepër seriozitet dhe të japin kontribut më tepër anëtarët e tij, sepse kur ata e marrin një pagë më të madhe, besoj që edhe më seriozisht punojnë që punët në komuna të ecin përpara”, ka thënë ajo.

“Kjo shtesë që ne kemi kërkuar nuk është e mjaftueshme, por duke e ditur që pjesa më e madhe e anëtarëve të kuvendeve punojnë edhe punë tjera, mënyra e vetme është që kjo kërkesë të hasë në mirëkuptim në institucionet kompetente dhe kjo bazë të rritet për 100 euro”, shtoi Bunjaku.

Kërkesën e sotme ky kolegjium do ta procedojë javën e ardhshme. (KosovaPress)