Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në Nju Jork, Kosova synon afirmimin e shtetësisë së saj

Delegacioni i Kosovës në përbërje të presidentit të vendit, Hashim Thaçi, kryeministrit Haradinaj si dhe ministrit të Jashtëm, Behgjet Pacolli, ka filluar aktivitetet në kuadër Samitit të OKB-së në SHBA.

Lajme

24/09/2018 23:34

Delegacioni në fjalë gjendet në Nju Jork në kuadër të punimeve të Samitit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, shkruan lajmi.net.

“Agjenda e delegacionit të Kosovës parashikon dhjetra takime me homologë nga të katër anët e globit. Objektivat kryesorë të kësaj agjende janë afirmimi i shtetësisë së Kosovës, anëtarësimi në organizata të ndryshme ndërkombëtare, forcimi i marrëdhënieve dypalëshe politike, ekonomike, etj, vendosja e marrëdhënieve diplomatike me vende të caktuara dhe njohje të reja”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

E në kuadër të këtyre punimeve, delegacioni i  Kosovës ka zhvilluar sot takim edhe me senatorin amerikan Ron Johnson.

Pas takimit, presidenti Thaçi u shpreh se Kosova e ka mbështetjen e SHBA-ve për arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë  si dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Përkrahje të njëjtë mori edhe ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli në takimin që pati me homologun e tij finlandez, Timo Soini.

Pacolli u shpreh se në këtë takim u kërkuan edhe investime në Kosovë nga shteti i Finlandës.

Përpos këtyre takimeve, delegacioni kosovar zhvilloi takime edhe me zyrtarë të shteteve të tjera me të cilët temë kryesore e diskutimit ishte vendosja e marrëdhënieve diplomatike.

Punimet e Sesionit 73 të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB së, po ndiqen me vëmendje të madhe nga mediat botërore, për shkak të pranisë në to të shefave të shteteve dhe ngjarjeve botërore./Lajmi.net/