Asambleja e Gjakovës i thotë “Jo” shtatores së Fadil Hoxhës

Asambleja Komunale e Gjakovës votoi ‘kundër’ vendosjes së shtatores së Fadil Hoxhës në një shesh të këtij qyteti. Votimi u iniciua nga këshilltari i Asamblesë Komunale nga PDK, Artan Nimani.

Lajme

28/02/2014 10:33

Asambleja Komunale e Gjakovës ka votuar ‘kundër’ vendosjes së shtatores së udhëheqësit komunist të Kosovës, Fadil Hoxhës në një shesh të këtij qyteti

Këtë e ka konfirmuar këshilltari i Asamblesë Komunale të Gjakovës, Artan Nimani.

“Më kërkesën time, Kuvendi i Gjakovës me shumicë votave i tha JO ndërtimit të Lapidarit të figurës kontraverse të Fadil Hoxhës. Gjakova ka shumë më shumē prioritete se ky”, ka shkruar në Facebook këshilltari i Asamblesë Komunale të Gjakovës nga PDK, Artan Nimani.

17 këshilltarë kanë votuar kundër ngritjes së shtatores, ndërsa 13 e mbështetën atë.

Kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari- Lila, dje ishte shprehur e vendosur që shtatorja e Fadil Hoxhës të vendoset në Gjakovë, përkundër debateve dhe polemikave që kishte nxitur kjo çështje ditëve të fundit.