Asambleisti “patriot” i Vetëvendosjes: Ja pse e largova flamurin e Kosovës nga shtatorja e Zahir Pajazitit

Mbrëmë në orët e vona, afër shtatores së Zahir Pajazitit janë larguar dhe përdhosur flamurat e Kosovës. Ndaj kësaj Policia ka ngritur procedurë për vandalizëm.

Lajme

17/03/2018 13:31

Por këtë veprim skandaloz po del se e ka kryer një i zgjedhur i qytetarëve të Prishtinës.

Në një postim në facebook Egzon Azemi ka shkruar se këtë e ka bërë në shenjë proteste, pasi sipasj tij po imponohet flamuri i Kosovës.

“Po, dje i kemi larguar flamujt e imponuar nga shtatorja e dëshmorit “Zahir Pajaziti”. Ky veprim ka qenë i pakoordinuar me Lëvizjen VETËVENDOSJE!, mirëpo në shenjë proteste ndaj imponimit të flamurit tek shtatoret e dëshmorëve i larguam ata. Zahir Pajaziti dhe dëshmorët e tjerë dhanë jetën për flamurin kombëtar, andaj nuk është turp pse ne i hoqëm flamujt e Ahtisaarit, por turp është që institucionet tona po tentojnë që edhe dëshmorëve të u’a largojnë flamurin kuq e zi, se nga çdo institucion e kanë larguar tash e sa kohë”, ka shkruar në facebook Azemi.

Ky i fundit po pretendon se dikush po tenton ta krijojë një komb artificial.

Edhe pse thotë se nuk është kundër flamurit të Kosovës, pikërisht Azemi e ka quajtur disa herë “lara-lara”.

“Vendosni flamujt e imponuar sa të doni e ku të doni por jo mbi flamujt kombëtar, jo duke na zhveshur historinë të tentoni të krijoni komb artificial. Ne s’jemi kundër asnjë flamuri, por kurrë s’do lejojmë përdhosjen e flamurit kombëtar. Për flamurin kuq e zi janë burguosur e madje edhe janë vrarë shumë veprimtarë, por ky flamur ka qëndruar e do qëndroj. Ne e larguam flamurin kaltër e verdhë sepse kërkojmë që tek shtatorja e heroit “Zahir Pajaziti” të vendosët flamuri kombëtar. Kjo ishte e vetmja rrugë, sepse te institucionet tona fjalët nuk bëjnë punë!”, shkruan asamblesiti i VV-së në facebook.

Në këtë veprim kanë marrë pjesë edhe Januz Shatri dhe Luan Hoti.

Që të dy aktivistë të Vetëvendosjes. /Lajmi.net/