Asad iu thotë rusëve se opozita siriane është trajnuar në Kosovë

Në një intervistë për televizionin rus “Russia 24”, presidenti i Sirisë, Bashar Al Assad ka deklaruar se shteti i tij do t'ia tregojë botës "mercenarët" që ka kapur në Siri.

Bota

06/10/2014 23:07

Asad ka deklaruar se Siria po e humb luftën mediale kundër Perëndimit, por jo ndonjë luftë tjetër.

Ai i ka thënë televizionit rus se opozita siriane është ajo që trafikon mercenarë nga vende të ndryshme.

Gjatë intervistës së tij, Asad ka përmendur Kosovën, si vendin ku janë trajnuar anëtarë të opozitës siriane.

Ai e ka përshkruar Ushtrinë e Lirë Siriane (opozita e cila lufton kundër regjimit të tij, por ku nuk kanë vend ekstremistët islamikë) si një organizatë të krimit, duke thënë se njerëzit e saj kanë mësuar taktikat e luftës partizane në Kosovë.

“Rebelët sirianë gjithashtu dihet se kanë shkuar në Kosovë për të studiuar taktikat partizane të luftës. Ka informacione se grupi që e quan veten opozitë siriane ka shkuar në Kosovë për t’u trajnuar për taktikat partizane të luftës”, ka thënë Asad.