As PSD-ja nuk e fton Listën Serbe në tryezën e partive politike

Pas Vetëvendosjes, radhën për ta organizuar tryezën politike e ka Partia Social Demokrate. Tryeza e radhës e organizuar nga partia e Shpend Ahmetit do të mbahet të hënën e ardhshme.

Lajme

12/06/2018 20:45

Por sikur që ndodhi herën e fundit në tryezën e VV-së, as PSD-ja nuk i ka dërguar ftesë Listës Serbe.

Sipas zëdhënësit të PSD-së, Shkodran Hoti kjo është bërë për shkak të qëndrimeve që kjo parti ka ndaj Republikës së Kosovës.

Hoti ka thënë për lajmi.net se të gjitha partive tjera u janë dërguar ftesat.

“Me sa e di as ne nuk i kemi dërguar ftesë Listës Srpska, qartasi për shkak të qëndrimeve që e kanë në raport me Kosovën duke mos e njohur si shtet. Të gjitha partive tjera që e kanë qëndrimin korrekt në raport me Republikën e Kosovës iu është dërguar ftesa”, tha zëdhënësi i Partisë Social Demokrate.

Shkodran Hoti tutje bëri të ditur se në tryezën e PSD-së temë do të jetë çështja e dialogut me Serbinë.

“Ftesat për tryezë kanë shkuar gjatë ditës së sotme, tryeza do të mbahet të hanën e ardhshme me datë 18 qershor në orën 11:00. Mbahet në Kuvend, kurse tema e cila do të diskutohet është tema e dialogut me Serbinë”, tha Hoti për lajmi.net.

Ciklin e tryezave e ka nisur LDK-ja me synimin për caktimin e datës për zgjedhje të reja. Por një gjë e tillë pastaj as nuk u diskutua në tryezën e PDK-së.

Tryezat që u thirrën për të krijuar unitet, shërbyen më shumë për përçarje, sidomos ajo e fundit e Vetëvendosjes.

Në  atë tryezë pati debate të ashpra nga partitë në pushtet me Albin Kurtin, duke i thënë atij që nëse opozita i ka votat, atëherë le ta rrëzojë qeverinë.

Deri më tani nuk dihet se cilat parti do ta pranojnë ftesën e PSD-së e cilat jo. /Lajmi.net.