As ministri i MAPL nuk e njeh shtetin e Kosovës

Ministri për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, Aleksandër Jabllanoviq nuk është ministri i vetëm që del kundër shtetit të Kosovës.

Lajme

12/01/2015 20:08

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Lubomir Mariq, për dallim nga paraardhësi i tij, Sllobodan Petroviq, ka vendosur që në njoftimet e kësaj ministrie të mos e vendosë logon e Republikës së Kosovës, raporton KTV.

Veprimi tjetër i tij është edhe bojkotimi i gjuhës shqipe në këto njoftime, e cila është gjuha e parë zyrtare në Kosovë.

Në disa prej tyre, që në emër të ministrit i ka dërguar Ilija Saviq, nuk përdoret fare gjuha shqipe. Njoftimi është vetëm në gjuhën serbe dhe atë angleze, e në to askund nuk përmendet Kosova, përveç në rastet, si për shembull “takim me ambasadoren amerikane në Kosovë”.

Ndërsa, krejt ndryshe vepronte ish-ministri Sllobodan Petroviq, që po ashtu vinte nga komuniteti serb, por që në njoftimet e ngjashme përdorte vazhdimisht logon e shtetit dhe njoftimet ishin në të tri gjuhët.

Gjithashtu që nga ardhja e Mariqit në krye të kësaj ministrie, këto njoftime përveç që nuk përmbajnë asnjë shenjë të shtetësisë, atyre u është ndryshuar edhe mënyra e shkrimit, ku në disa sosh pjesa në gjuhën serbe tashmë shkruhet në alfabetin cirilik.

Në një përgjigje me shkrim, zyrtarë të MAPL-së kanë pranuar se në disa dokumente ka pasur raste të tilla, ku është mohuar shteti, por që, sipas tyre, ato tashmë janë tejkaluar.

“MAPL ka evidentuar në dy apo tri raste në dy ditët e para të punës së kabinetit të ri që komunikimi me media nuk është bërë në dy gjuhët zyrtare dhe ky problem tashmë është tejkaluar. Tashmë janë disa dhjetëra dokumente që aplikojnë përdorimin e logos zyrtare dhe përdorimin e gjuhëve zyrtare”, thuhet në përgjigjen e MAPL-së dërguar Kohavisionit.

Sidoqoftë, këto veprime të ministrit Mariq nga opozita cilësohen si shqetësuese, kundërligjore dhe kundërkushtetuese.