As me ‘bllokun’ as me partinë!

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa pritet të përballet  me sfida të reja brenda partisë së tij, por edhe brenda koalicionit që ka me AAK-në, Nismën dhe Vetëvendosjen. 

Lajme

20/10/2014 09:11

LDK, siç shkruan Tribuna, besohet se do të kërkojë strategji dalëse nga opsionet e deritashme, të cilat nuk kanë dhënë rezultate rreth formimit të institucioneve të reja.

Paralajmërimet serioze që i vijnë nga spektri politik se mungesa e formimit të institucioneve do të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme, ka bërë që disa prej zyrtarëve të LDK-së, të insistojnë në rishikimin e marrëveshjes së parimeve ndërmjet LDK-së, AAK-së, Nismës dhe Vetëvendosjes.

Gazeta shkruan se LDK-ja do të pret vendimin e presidentes Atifete Jahjaga e cila do të vendos se nëse do të dërgojë në Kushtetuese kërkesën e deputetëve për sqarim të pikës 127, apo se vet do ta dërgojnë.

Por, pritjet janë që Kushtetuesja edhe nëse pranon të japë sqarime për vendimin e vet, vetëm do të vërtetojë se posti i kryetarit të Kuvendit i takon grupit më të madh parlamentar i cili ka dalë nga zgjedhjet, që nënkupton PDK-së.

Nga ai moment, siç mësojnë burimet e gazetës, LDK-ja do të vijojë me disa opsione.

Opsioni i parë, ishte përmendur ai i rotacionit. Një mandat katër vjeçar me dy qeveri me nga dy vjet qeverisje. Dy vitet e para do të qeveriste LDK-ja, kurse në dy vitet e tjera AAK-ja. Por, ky opsion thuhet se është përjashtuar si mundësi, pasi që duket jo serioz dhe paraqet një lojë politike me qeverisjen e vendit për t’i kënaqur apetitet e liderëve politik.

Andaj, LDK, sipas të njëjtave burime, pas qartësimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese do t’i paraqesë AAK-së ofertën e fundit që Isa Mustafa të jetë kryeministër, kurse Ramush Haradinaj zëvendësi i parë.

Nëse këto zgjidhje nuk pranohen nga AAK-ja, sopas burimeve të gazetës, LDK-ja do të thërrasë takimin e organeve partiake për të vendosur se çfarë hapash do të ndërmarrë më tutje.