Arsyet e konfliktit ku u përfshinë familjarët e Sekiraqës

Sherri që ndodhi mbrëmë në mes të familjarëve të Enver Sekiraqës dhe dy personave të tjerë dyshohet të ketë filluar vite më parë.

Lajme

13/06/2018 19:48

Burime të KALLXO.com brenda Prokurorisë thonë se disa vite më parë, konkretisht në vitin 2015, Zenel Jashari, i cili mbeti i plagosur mbrëmë, dyshohet se e kishte plagosur Bahri Abazin, vëllanë e Jan dhe Fatlum Abazit, që të tre njerëz me lidhje familjare me Naser e Enver Sekiraqën.

Sipas këtyre burimeve, Jan Abazi ende nuk është arrestuar ndërsa vëllai i tij Fatlumi, dhe Naser Sekiraqa janë në arrest.

Madje, sipas burimeve, Prokuroria ka kërkuar paraburgimin e Zenel Jasharit që mbrëmë mbeti në spital si pasojë e plagosjes, meqë ky i fundit gjendet në arrati që nga viti 2015.

Rrjedhimisht, dyshohet se motivi i plagosjeve të djeshme ka qenë hakmarrja për vëllanë e Abazit.

Po ashtu, burimet e KALLXO.com bëjnë të ditur se personi i dytë i plagosur me inicialet N.U., që kishte qenë së bashku me Zenel Jasharin në ato momente, nuk ka qenë i përfshirë në këtë konflikt më herët.

Sipas burimeve, gjithsej 17 gëzhoja janë gjetur në vendin e ngjarjes, dy nga predhat janë gjetur në këmbën e N.U., derisa nuk dihet se sa janë gjetur në trupin e Zenel Jasharit.