Arsyeja për vdekjen e pemëve Baobab është ndryshimi i klimës

Kërkuesit e lidhin “dorëzimin”e katër prej 13 pemëve, që spikasnin si shenja të lashta në peizazhin afrikan, me ndryshimet e klimës. 

Fun

18/06/2018 11:31

 

Disa nga pemët baobab më të vjetra dhe më të mëdha të Afrikës kanë vdekur papritur, në gjithë trungun e tyre ose pjesërisht. Ekipi i  kërkuesve që publikoi lajmin thotë, se pemët, të moshës midis 1100 dhe 2500- vjeçare, mund të jenë viktima të ndryshime të klimës.

“Ne raportojmë se nëntë nga 13 individët më të vjetër kanë vdekur ose të paktën degët e tyre më të moshuara kanë rënë dhe kanë vdekur, përgjatë 12 vjetëve të fundit”, shkroi ekipi i kërkuesve në revistën shkencore “Nature Plants”, duke e përshkruar ndodhinë si “ngjarje me magnitudë të paprecedent”.

“Përfundimisht është tronditëse dhe dramatike të përjetosh gjatë kohës sonë, rënien e kaq shumë pemëve me mosha mijëvjeçare”, tha bashkë-autori i studimit, Adrian Patrut nga universiteti Babeș-Bolyai në Rumani.

Mes nëntë pemëve të vdekura, katër prej tyre ishin baobabët më të mëdhenj të Afrikës. Ndërsa shkaku i dorëzimit të tyre mbetet i paqartë, kërkuesit “dyshojnë që vdekja e baobabëve monumentalë mund të lidhet të paktën pjesërisht me modifikimet domethënëse të kushteve klimatike që kanë prekur sidomos Afrikën Jugore”.

Kërkime të mëtejshme nevojiten, thotë ekipi nga Rumania, Afrika e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara, “për të mbështetur ose hedhur poshtë këtë supozim”.

Midis viteve 2005 dhe 2017, kërkuesit vëzhguan dhe datuan “praktikisht të gjithë baobabët afrikanë, që njiheshin si shumë të mëdhenj dhe me gjasa shumë të vjetër”- më shumë se 60 individë, në total. Nga të dhënat e nxjerra për perimetrin e trungut, lartësinë, volumin e drurit dhe moshën, ata vunë re “faktin e papritur dhe intrigues” se pjesa më e madhe pemëve nga më të vjetrat dhe më të mëdhatë, vdiqën gjatë periudhës së studimit. Të gjitha pemët ishin në Afrikën Jugore – Zimbabve, Namibi, Afrikë e Jugut, Botsvana dhe Zambia.

Baobabi është pema më e madhe dhe më jetëgjatë që lëshon lule, sipas ekipit kërkimor. Rritet naturalisht në rajonin e savanës afrikane dhe jashtë kontinentit në zonat tropikale ku është mbjellë. Bëhet fjalë për një pemë me pamje të çuditshmë, me degët që ngjasojnë me rrënjë të kërleshura që zgjaten drejt qiellit, duke i dhënë një pamje kokë poshtë.

Pema ikonë mund të jetojë edhe 3 mijë vjet, sipas faqes së internetit të parkut kombëtar Kruger në Afrikën e jugut, një habitat natyror baobabësh.

Pema shërben si një depozitë masive uji, bën fruta që ushqejnë kafshët dhe njerëzit. Gjethet e saj zjehen dhe hahen si një ushqim i ngjashëm me spinaqin, apo përdoren për të bërë mjekime tradicionale, ndërkohë që lëkura e trungut rrihet dhe thurret për të bërë litarë, kosha, rroba dhe kapele kundër ujit.

Qëllimi i studimit ishte të mësohej sesi pemët bëhen kaq gjigante. Kërkuesit analizuan mostra me radiokarbon, të marra nga pjesë të ndryshme të trungut të secilit baobab. Ata zbuluan se trungu i një baobabi nuk rritet nga një kërcell i vetëm por nga shumë degë që dalin nga qendra. Sipas parkut Kruger, baobabët janë “shumë të vështirë për t’u vrarë” që do të thotë se është shumë e vështirë ta detyrosh një pemë të tillë të thahet përgjithmonë.

“Ata mund të digjen apo të zhvishen nga lëkura e tyre dhe më pas thjesht do të formojnë lëkurë të re dhe do të vazhdojnë të rriten”, thuhet në përshkrimin e parkut. “Kur ata vdesin, ata thjesht kalben nga brenda dhe befas, rrëzohen duke lënë një grumbull fibrash”

Nga dhjetë pemët e listuara nga autorët e studimit, katër vdiqën krejtësisht, që do të thotë se të gjitha trungjet e tyre u rrëzuan dhe humbën çdo shenjë jete, ndërsa të tjerat pësuan humbjen e një ose disa pjesëve.

Pema më e vjetër, deri tani, së cilës iu rrëzuan të gjitha trungjet në vitet 2010-2011, ishte pema Panke në Zimbabve, që vlerësohet se kishte ekzistuar për 2500 vjet. Ajo ishte 30.2 metra e lartë dhe kishte një perimetër prej 35.1 metrash.