Arsim Bajrami: Vota e kualifikuar për minoritetet nuk mund të hiqet me ligj

Heqja e së drejtës për votë të kualifikuar (2/3) minoriteteve nuk mund të bëhet me miratimin e ndonjë ligji, pasi në këtë rast kemi të bëjmë me amendament kushtetues, ka thënë për lajmi.net, profesori i së Drejtës Kushtetuese, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arsim Bajrami. 

Lajme

05/05/2014 17:41

Lajmi i publikuar se kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa janë pajtuar që nesër ta procedojnë një projektligj në Kuvendin e Kosovës, përmes të cilit minoriteteve u hiqet e drejta për votë të kualifikuar (2/3), për ligjet që nuk kanë të bëjnë direkt me ta, sikurse është ligji për shndërrimin e FSK-së në FAK, praktikisht del të jetë i pamundur. 

Deputeti Bajrami në një prononcim për lajmi.net, ka thënë se heqja e së votës së kualifikuar në Kuvendin e Kosovës për minoritetet, nuk mund të bëhet me miratimin e ndonjë ligji, por vetëm përmes amendamentit të Kushtetutës. Kjo sipas tij kërkon që amandamentimi të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, dhe pastaj të sillet në Kuvendin e Kosovës, ku sërish duhen 2/3 e votave të minoriteteve, që ajo të miratohet.

“Ky amandamentim do t’i merrte 60 ditë afat kohorë, edhe sikur të ekzistonte të kishim vullnetin e deputetëve të minoriteteve për ta votuar atë”, ka thënë Bajrami. 

Pra, nisur nga kjo logjikë, edhe sikur të pajtoheshin deputetët e minoritetit serb, që atyre t’u hiqej vota e kualifikuar të cilën e kanë si rezultat i “Pakos së Ahtisarit”, ajo nuk do të mund të shërbente, që FSK të shndërrohej në FAK, dhe t’u hapej rrugë zgjedhjeve të parakohshme brenda muajit qershor.