Arsenali rikthen Velan

Arsenali do ta shfrytëzojë opsionin për rikthimin e sulmuesit Carlos Vela nga Real Sociedad në marrëveshje me vlerë prej 3.5 milionë funte. Lajmin e ka konfirmuar presidenti i klubit spanjoll, Jokin Aperribay.

Sport

11/06/2014 09:45

Arsenali ka njoftuar Real Sociedadin se do të aktivizojë opsionin me vlerë prej 3.5 milionë funtesh për të rikthyer Carlos Velan, ka njoftuar tabloidi britanik Daily Mail.

Presidenti i Sociedadit, Jokin Aperribay ka qenë në Londër për bisedime me Arsenalin gjatë kësaj jave në përpjekje për të blerë sulmuesin meksikan, por në fund konfirmoi: “Arsenali na ka njoftuar se Vela do të jetë me ata në sezonin e ardhshëm”.

25-vjeçari shkëlqeu në edicionin e kaluar të La Ligës duke realizuar 16 gola dhe bëri 12 asistime në 34 paraqitje. Ai nuk do të përfaqësojë Meksikën në Kampionatin botëror pasi nuk është ftuar në Kombëtare nga viti 2011 andaj do të jetë i freskët për sezonin e ri.

I transferuar më 2006 si 17-vjeç, Vela konsiderohej se do të arrijë gjëra të mëdha nga Arsene Wenger por asnjëherë nuk e shfaqi potencialin e tij.

Në fund, ai u huazua në klube të ndryshme, ndërsa shënoi vetëm 11 gola në gjashtë vjet në Arsenal. Megjithatë, Wenger ka vendosur ta rikthejë atë duke shtuar opsionet sulmuese për edicionin e ri.