Arsenal mund të shkojë në finale të Championsit

Mesut Ozil beson se Arsenali mund të shkojë deri në finale të Ligës së Kampionëve. Sipas tij, Topçinjtë megjithatë një herë duhet ta kalojnë fazën e grupeve.

Sport

30/08/2014 11:57

Mesfushori i Arsenalit, Mesut Ozil beson se ekipi i tij mund ta arrijë finalen e Ligës së Kampionëve.

Ekipi i Arsene Wenger u kualifikua në këtë kompeticion për herë të 17-të rresht pasi e eliminoi Besiktasin të mërkurën, por kishte dështuar ta kalojë të tetën e finales në katër sezonet e fundit.

Siqodoftë, përfaqësuesi gjerman beson se këtë sezon, Arsenali do të shkojë larg, ndërsa do të marrë pjesë në Grupin D, së bashku me Borussia Dortmund, Galatasaray e Anderlect.

“Ne e kemi përforcuar skuadrën. Gjithashtu duam të tregojmë se mund të luajmë më mirë në Ligën e Kampionëve”, deklaroi Ozil për reporterët.

“Është një grup i vështirë, e njohim mirë Borussia Dortmundin, por nuk kemi nevojë të frikësohemi nga askush. Kemi potencial për ta arritur finalen. Duhet të besojmë se gjithçka është e arritshme”, vijoi ai.

“Jo shumë njerëz kanë menduar se Atletico Madridi do ta arrinte finalen. Nëse punon fort, gjithçka është e mundshme”, përfundoi Ozil.