Arrestohet zyrtari policor për trafikim me qenie njerëzore

N.Xh, zyrtar policor, është arrestuar nën dyshimin se ka trafikuar dy persona. Ai dyshohet po ashtu se ka detyruar një nga viktimat që të abortonte. Të dyshuarit i është shqiptuar masa e arrestit prej 48 orësh.

Lajme

13/03/2014 19:22

Një zyrtarë policor me inicialet N.Xh i cili ka punuar në Stacionin Qendër në Prishtinë, përveç punës në Polici ka ushtruar një punë të paligjshme, atë të  trafikim me qenie njerëzore.

Në një hetim prej disa muajsh nga Inspektoriati i Policisë së Kosovës, është gjetur se N.Xh ka trafikuar dy femra, në një lokal nate. Viktimat janë njëra nga Kosova ndërsa tjetra është shtetase e Shqipërisë.

Arbër Beka nga Inspektoriati i PK’së ka thënë se N.Xh përveç veprës penale për trafikim me qenie njerëzore është i përfhsirë edhe në veprën penale, ndërprerje e palejuar e shtatzënisë, pasi që ai dyshohet të ketë detyruar njërën nga viktimat që të abortonte

 “Kemi një zyrtarë policor i cili është i përfshirë në vepër penale, trafikim me qenie njerëzore, keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe ndërprerje të palejuar të shtatzënisë”.

“Sa i përket këtij rasti specifik, deri në këto momente, bazuar në hetimet, në këtë rast është vetëm ky zyrtar policor si i dyshuar”, ka thënë për KTV, Arbër Beka.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, kushdo që shtyn dikë të ndërpres shtatzëninë pa pëlqimin e gruas shtatzënë, dënohet me burgim 1-15 vjet. Pjesë e dëshmive janë edhe përgjimet në të cilat N.Xh dëgjohet duke folur me vajzën e njërës prej viktimave ku e pyet nëse nëna e saj kishte përfunduar abortin.

Të dy viktimat kanë dhënë dëshminë e tyre dhe të dyshuarit i është shqiptuar masa e arrestit 48 orë.