Arrestohet punëtori i kazinosë, inskenoi grabitjen

Policia në Ferizaj ka prangosur një punëtor të një kazinoje në këtë qytet, i cili me qëllim përfitimi kishte inskenuar një rast grabitjeje.

Lajme

23/06/2015 18:17

Burime policore bëjnë të ditur se i dyshuari A.G, 24 vjeç, ditë më parë e kishte njoftuar policinë se në rrugën “Gursel dhe Bajram Sylejmani” në Ferizaj, derisa ishte duke punuar në kazino, ishte sulmuar nga dy persona të armatosur, të cilët, sipas të dyshuarit, i kishin grabitur 1.700 euro.

“Hetimet e mëtejme kanë rezultuar se i njëjti kishte inskenuar këtë rast, ku dhe në tërësi ka pranuar veprën”, ka thënë zëdhënësi rajonal i policisë, Agim Gashi, raporton Kosovapress.

Mësohet se tek i dyshuari policia ka gjetur 700 euro,të cilat ju kanë kthyer pronarit të kazinos, ndërsa ndaj tij policia ka hapur rastin për veprën penale të klasifikuar si deklarim i rrejshëm.

Me vendim të prokurorit të shtetit,i dyshuari lirohet,ndërsa rasti me procedurë të rregullt i kalon gjykatës përkatëse