Arrestohet një person për presion përmes telefonit për të votuar

Policia ka arrestuar një person i cili ka telefonuar qytetarët duke i bezdisur, me pyetjen nëse kishin votuar apo jo. 

Lajme

08/06/2014 18:26

Policia në Prishtinë bën të ditur se rreth orës 16.00 është arrestuar H.N i cili dyshohet t`u ketë telefonuar qytetarëve për t\’i pyetur nëse kanë votuar, raporton kallxo.com. 

Gazeta Jeta në Kosovë, kishte raportuar gjatë ditës se, disa qytetarë sot kanë pranuar thirrje nga disa numra telefoni të cilëve u është kërkuar të dihet nëse kanë votuar. 

\”Nëse nuk keni dalë është mirë me dal me votu që mos me ju keqpërdorë vota\”, ka qenë porosia e telefonuesve. 

Një nga personat e telefonuar sot rreth orës 12.30 është Taulant Hoxha, i cili ka thënë se ka kërkuar të dijë se me kë po flet. 

“E pyeta me kënd po bisedoj, më thanë me organizatën jo-qeveritare, i pyeta cilën organizatë, a keni emër”, thotë Hoxha. 

Ai thotë që është me rëndësi që të identifikohet se kush është duke bërë anketa. 

“Nuk muj me paragjyku që ka pasur një tendencë por nuk është parimore me kërku mendim (informatë) në numër personal pa e ditur me kënd po bisedoj”. 

Gazeta Jeta në Kosovë ka kontaktuar me prokuroren kujdestare në Prishtinë, Ikramije Bojaxhiu e cila tha se telefonatat e tilla nuk janë në rregull dhe se nuk duhet t’i interesojë askujt se pse dhe ku votojnë qytetarët. 

Bojaxhiu ka thënë se është hapur rasti rreth këtyre thirrjeve, pasi Prokuroria është informuar nga Jeta në Kosovë, dhe se janë duke bashkëpunuar me policinë. 

\”Për momentin është me rendësi me i ndalu këta që mos të vazhdohet me telefonata. Pastaj vazhdojmë me i identifiku ku janë\”, tha Bojaxhiu. 

Telefonuesi kishte thënë se rezultatet e këtij sondazhi do të publikoheshin në faqja e kësaj organizate që është www.votaelire.com, mirëpo kjo faqe nuk është aktive.