Arrestohet i dyshuari për vrasje në Gjakovë

Është arrestuar i dyshuari për vrasjen e Ali A. nga fshati Smolicë e Gjakovës. Prokuroria Themelore në Gjakovë, pasi e ka intervistuar atë, i ka caktuar masën e ndalimit policor prej 48 orësh.

Lajme

22/12/2013 10:54

Policia e Kosovës ka njoftuar se dje ka arrestuar personin e dyshuar për rastin e vrasjes së kosovarit Ali A. (1984) nga Smolica e Gjakovës.

I arrestuari është shtetas shqiptar i Kosovës, me iniciale A. A.(1949), i arrestuar nga njësitë policore në shtëpinë e tij. Gjatë kontrollit në trupin e tij Policia ka gjetur dhe sekuestruar edhe 4 (katër) copë municion të kalibrit 9 milimetra.

Vrasja ka ndodhur më 16 dhjetor të këtij viti, rreth orës 18:00 në fshatin Smolicë.

“Që nga momenti i kryerjes së veprës penale, vrasësi është arratisur, dhe ky i dyshuar ishte në kërkim policor përderisa është lokalizuar vendndodhja e tij dhe i njëjti ka rezisutar policinë gjatë arrestimit”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës së rajonit të Pejës.

Me vendimin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, këtij të dyshuari, pasi është intervistuar, i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.