Arrestohet i dyshuari për vjedhje me dhunë të shtetasve të huaj

Policia shqiptare ka identifikuar dhe arrestuar njërin prej autorëve të vjedhjes me dhunë të disa shtetasve të huaj.

Lajme

18/09/2018 21:10

Nga strukturat e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe është arrestuar shtetasi A.Sh., 28 vjeç, banues në fshatin Aliaj.

Sipas Policisë së Shtetit, shtetasi A.Sh, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, me një automjet në përdorim të tij, duke transportuar 6 shtetas të huaj nga vendet e treta me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit, në lagjen Pepaj, fshati Hot, Malësi e Madhe, nën kërcënimin e armës u kanë marrë disa shtetasve pakistanezë 780 euro, 2 aparate celularë, dhe 6 çanta shpine.

Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit tjetër të kësaj ngjarjeje.

Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar automjeti me të cilin shtetasi i arrestuar po transportonte shtetasit e huaj, si dhe po punohet për gjetjen e automjetit tjetër.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër për veprat penale të “Vjedhje me dhunë” dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm te kufijve”.