Arrestohet femra nga Gjilani që vidhte dhe shantazhonte meshkujt

Policia e Gjilanit ka arrestuar një vajzë të moshës 25 vjeçare, me dyshimin se i ka vjedhur një mashkulli 150 euro dhe gjësende tjera.  

Lajme

08/09/2014 11:08

E dyshuara edhe pse ishte ajo që kishte kryer veprën kriminale, e kishte paraqitur rastin në polici, kinse kishte pasur tentim dhunimi ndaj saj. 

“Më 3 shtator ajo ka hipur në  një veturë, për të shkuar kinse nga Gjilani në fshatin Zhegër, dhe nga vetura Sh.S. i kishte vjedhur një shtekë me cigare, çokollata dhe 150 euro”, ka thënë prokurori Arben Ismajli. 

Sipas prokurorit, i dëmtuari e kishte hetuar se afër frenit të dorës Sh.S. ia kishte marrë 150 euro dhe ia kishte kapur dorën. 

“Kur i dëmtuari ia kishte kapur dorën, ajo i kishte thënë lëshoma dorën se të lajmëroj në polici se kinse po don me e dhunu dhe ai nga frika ia kishte lëshuar dorën”, ka thënë prokurori. 

Ai shtoi se kishte marrë vendim për ta ndaluar 48 orë. 

“Sot është mbajtur seanca dëgjimore, ne kemi kërkuar 30 ditë paraburgim dhe të hënën pritet vendimi i gjykatës”.

Sipas burimeve brenda policisë, Sh.S në polici ka raste të hapura nën dyshimin për  mashtrime dhe shantazhe, raporton kallxo.com.