Arrestohet aktivist i VV-së, shtetas i Shqipërisë

Para pak çastesh është arrestuar një aktivist i Vetëvendosjes ka bërë të ditur VV-ja përmes një postimi në Facebook.

Lajme

22/03/2016 13:04

“Policia e Kosovës, sapo arrestoi aktivistin e Vetëvendosjes, Arbër Zaimi, vetëm për shkak se ka shtetësi të Republikës së Shqipërisë”, ka thënë VV-ja. VV-ja tutje thotë: “Siç po duket, Qeveria e Kosovës është e vendosur që të largojë nga Kosova secilin qytetar të Republikës së Shqipërisë, dhe po aq e vendosur që të lehtësojë intervenimet e ndryshme, legale dhe ilegale të Serbisë. Isa Mustafa në njërën anë e ka hapur Kosovën ekonomikisht dhe politikisht ndaj armikut tonë shekullor, Serbisë, kurse në anën tjetër përherë e më shumë po shfaqë tendenca armiqësore ndaj Republikës së Shqipërisë”.

Sipas saj kjo përshtatet plotësisht me politikat e Kryeministrit për të kthyer ndikimin e Serbisë brenda Kosovës.

“Kjo qeveri që arreston opozitën, kërcënon gazetarët, deporton nga Kosova qytetarët e Republikës së Shqipërisë, është e papranueshme për qytetarët e Republikës sonë. Më 26 mars, masivisht do të dëshmojmë vullnetin tonë për ndërrimin e këtyre politikave që po e shkatërrojnë lirinë dhe demokracinë në Kosovë”, thuhet në postim.

Ajo më tutje ka shtuar: “Ne i bëjmë thirrje shtetit shqiptar që të përfshihet në këto skandale dhe të ndikojë që Qeveria e Kosovës të mos ndërmarrë veprime të tilla jodemokratike dhe absurde”.