Arrestohen tre shqiptarë për sulmin terrorist në Turqi

Ministri i brendshëm i Turqisë, Efkan Ala ka deklaruar të premten se dy prej “terroristëve” të arrestuar që vranë dy zyrtarë të sigurimit në Turqinë qendrore ditën e enjte, janë nga Shqipëria, ndërsa i treti është nga Kosova.

Bota

21/03/2014 12:49

Dy shtetas shqiptarë dhe një i Kosovës u arrestuan mëngjesin e së premtes nga forcat policore turke, si autorë të vrasjes së dy policëve dhe një civili në afërsi të qytetit Nigde.

Mediat turke e kanë quajtur këtë një sulm terrorist pasi sipas tyre 3 persona të cilët flisnin edhe arabisht janë pjesëtarë të grupimit, Shteti Islamik i Irakut dhe Levantit, grup ky që ka lidhje të drejtpërdrejta me Al Qaeda-n.

Mediat theksojnë se 2 prej personave janë arrestuar në një klinikë ku kanë shkuar për të marrë ndihmën e parë mjekësore pas plagëve të marra gjatë përleshjes me armë me policinë turke, raporton Top Channel.

Vrasja e dy policëve ka sjellë irritimin e popullatës vendase të cilët kanë pushtuar klinikën dhe kanë dashur t’i japin vetë dënimin dy terroristëve të plagosur të cilët flisnin edhe arabisht.

Mediat vendase nuk japin identitetin e të arrestuarve por theksojnë se mosha e dy shtetasve shqiptarë është 18 vjeç ndërsa e shtetasit kosovar është 23 vjeç.

Policia vendase u ka sekuestruar këtyre personave shtatë bomba dore, tre kallashnikov, tri pistoleta dhe dy thika ushtrie.

Ende nuk është mësuar cili ka qenë qëllimi kryesor i këtyre personave, ndërkohë që vetëm pas përfundimit të hetimeve do të jepen detaje më të hollësishme.