Arrestohen shqiptarët, trafikonin kokainë në Itali

Pas një operacioni të përbashkët të policisë Italiane dhe asaj shqiptare janë arrestuar disa përsona edhe ne Itali por edhe në Shqipëri. 

Lajme

17/04/2018 13:10

Edmir Hatija 41 vjeç dhe Elidon Shpërdheja 38 vjeç, të dy banues në Fier janë dy shtetasit e arrestuar në Shqipëri në kuadër të operacionit të përbashkët të policisë italiane dhe asaj shqiptare që çoi në shkatërrimin e një bande që kishte trafikuar rreth 160 kg kokainë.

Shqiptarët Edmir Hatija dhe Elidon Shpërdheja garantonin transportin e lëndës narkotike në Itali si dhe transferimin jashtë territorit italian të parasë “së pisët”, përfituar nga biznesi i drogës.

Operacioni i koduar “Biznesi familjar” u krye në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Në Itali u  arrestuan 5 shtetas, 3 italianë dhe 2 shqiptarë, mes tyre edhe bosi i bandës së drogës Aleks Boci i cili me ndihmën e disa shqiptarëve rezidentë në Belgjikë organizonte trafikun e drogës nga Amerika e Jugut në veri të Europës e më pas në Rome.

Në njoftimin e policisë thuhet se : Goditet një grup me veprimtari kriminale në fushën e trafikimit të narkotikëve në vendet e BE dhe pastrimit të parave Operacioni i koduar “Affari di Famiglia”, u organizua dhe finalizua falë bashkëpunimit mes strukturave të hetimit të narkotikëve të dy policive, italiane dhe shqiptare, në veçanti me grupin operativ të Guardia di Finanza të Romës.

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, Policia e Shtetit në bashkëpunim dhe koordinim me forcat policore italiane të shërbimit Antidrogë kanë ekzekutuar njëkohësisht në Itali dhe Shqipëri urdhër arrestet ndërkombëtare të lëshuara nga Prokuroria e Romës në kuadër të operacionit “Affari di famiglia”, për veprat penale të “Trafikimit të narkotikëve” dhe “Pastrimit të parave”.

Në Shqipëri u arrestuan 2 shtetas shqiptarë, të dyshuar si pjesë e grupit kriminal: Edmir Hatija, 41 vjeç, banues në Fier dhe Elidon Shpërdheja, 38 vjeç, banues në Fier. Ndërkohë në Itali janë arrestuar 5 shtetas, 3 italianë dhe 2 shqiptarë.

Grupi kriminal ishte i përfshirë në shpërndarjen e lëndëve narkotike në zonën e Romës. Droga e llojit kokainë vinte nga Holanda dhe Belgjika. Po vijon puna në bashkëpunim me shërbimin ndërkombëtar të dy organizatave policore dhe policive kriminale për shkatërrimin e grupit kriminal dhe sekuestrimin e aseteve.