Arrestohen kryefamiljarët e bllokut banesor, vidhnin rrymën

Njëmbëdhjetë kryefamiljar të familjeve që jetojnë në një pallat në qytetin Krujës, janë arrestuar nga policia, pasi ishin kyçur në mënyrë ilegale në rrjetin e energjisë elektrike.

Lajme

27/12/2014 18:48

Në kuadër të aksionit kundër atyre që abuzojnë me energjinë elektrike është shënuar një rast i pazakontë në Shqipëri.

Kryefamiljarët e 11 familjeve të një pallati në qytetin e Krujës kanë përfunduar në pranga, pasi janë arrestuar në flagrancë duke e rilidhur energjinë.

Ata kishin akumuluar shuma të mëdha borxhi ndaj shtetit dhe gjatë një aksioni të OSHEE, inspektorët e operatorit u kishin ndërprerë energjinë deri në pagesën e faturave të pashlyera.

Por kryefamiljarët kanë rilidhur energjinë e shkëputur dhe gjatë një aksioni të dytë të OSHEE dhe policisë ata janë shoqëruar për në komisariatin e Krujës.

Dosjet e tyre kanë kaluar për shqyrtim në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor të Krujës duke bërë që thuajse një pallat i tërë të dalë para gjyqit për vjedhje të energjisë, raportojnë mediat në Shqipëri.