Arrestohen katër persona që grabitën në “Eida Petrol”

Policia e Kosovës ka arritur të arrestojë katër vetë për të cilët dyshon se ata ishin grabitësit e armatosur që vodhën pikën e karburantit “Eida Petrol” dy javë më parë në fshatin Prelez të Muhaxherëve në komunën e Ferizajt.

Lajme

25/02/2014 11:25

Pika e karburantit “Eida Petrol” është grabitur dy javë më parë. Për këtë, Policia e Kosovës ka zhvilluar hetime për të gjetur dorasit e kësaj grabitjeje, me ç’rast ka arrestuar sot katër persona.

Ngjarja kishte ndodhur më 10.02.2014, kur të dyshuarit, tani të arrestuar, R.I (25 vjeç), F.J. (39 vjeç), V.R. (25 vjeç), të tre nga fshati Prelez, në bashkëveprim me të dyshuarin e katërt, (K.B.), nga fshati Muzeqinë, me armë të gjata dhe të maskuar, kanë hyrë me forcë në pompën e benzinës dhe në marketin e saj kanë grabitur arkën me rreth 2.000 Euro para.

Policia thotë se gjatë bastisjeve të kryera në lokacione të ndryshme të të dyshuarve, janë gjetur dhe konfiskuar një pushkë gjysmë-automatike me një karikator dhe 3 fishekë të kalibrit 7.62 mm, dhe një revole të tipit “Class Totun Magnum” me një fishek të kalibrit 9 mm. Pas intervistimit, të dyshuarit e kanë pranuar veprën e kryer dhe me urdhër të prokurorit iu është shqiptuar masa e ndalimit policor për 48 orë.