Arrestohen autorët e vrasjes së 20 vjeçarit

Pas dy ditësh në kërkim, policia arrestoi dy persona si të dyshuar për vrasjen e 20-vjeçarit Ervis Zyka në Kurbin.

Lajme

28/02/2016 09:06

Policia e Kurbinit njofton se në pranga u vunë Elgert Cara dhe Dorjan Cara, të dyshuar për vrasjen e 20-vjeçarit në një lokal nate në fshatin Gjerm të qytetit të Kurbinit, ngjarje kjo e ndodhur tre ditë më parë.

Elgert Cara, 19 vjeç dhe Dorjan Cara, 25 vjeç, janë vëllezër, të dy banues në Zhejë të Kurbinit dhe u arrestuan pasi dyshohen për kryerjen e veprës penale “vrasje me paramendim të kryer në bashkëpunim si dhe prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake”. Ervis Zyka u vra në një lokal nate mëngjesin e së enjtes në fshatin Gjorm të Kurbinit.

Elgert dorjan Cara

Dy ditë më parë policia arrestoi në flagrancë Xhevahir Likën, 21 vjeç dhe Drilon Lekën, 27 vjeç, për “moskallëzim krimi”, ndërsa tashmë u arrestuan dhe vëllezërit Cara, të cilët prej dy ditësh ishin në kërkim. Polica shoqëroi katër persona në lidhje me ngjarjen, të cilët kishin qenë të pranishëm në lokal në momentin që i riu u qëllua me dy plumba në këmbë dhe në shpatull. Ka qenë pronari i lokalit, i cili ka transportuar viktimën në spital dhe i njihte katër të rinjtë. Pak minuta pas transportimit në spital i riu humbi jetën nga plagët e marra.

Zyba ishte përfshirë në një përleshje që nisi në lokal pas një konflikti që shokët e tij kishin patur me dy vëllezërit e arrestuar ditën e djeshme. Mësohet se të dy palët kishin qenë të armatosur dhe gjatë debatit që kanë pasur mes tyre, Elgert Cara ka qëlluar me armë automatike, ndërsa Dorjan Cara ka qëlluar me armë zjarri pistoletë drejt makinës në të cilën ndodheshin Xhevahir Lika dhe Ervis Zyba. Mes dy grupeve ka patur shkëmbime zjarri, ku ka mbetur i vrarë 20-vjeçari Zyba. Mësohet se vëllezërit Cara janë me precedentë të mëparshëm penalë./shekulli