Arrestohen 8 persona, dy prej tyre policë

Janë arrestuar 8 persona nga një operacion i realizuar nga Policia Dogana dhe Inspektorati Policor i Kosovës. Dy nga të arrestuarit janë zyrtarë policorë që dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Lajme

24/12/2013 15:34

Një operacion policor i realizuar së bashku nga Policia e Kosovës, Dogana e Kosovës dhe Inspektorati Policor i Kosovës me emrin e koduar ‘Koordinimi’ është realizuar në rajonin e Ferizajt, Gjilanit dhe Prishtinës dhe ka rezultuar me arrestimin e 8 personave të dyshuar.

Sipas zyrtarëve policorë, një grup i organizuar kriminel në vazhdimësi kishte kryer vepra penale si krim të organizuar, kontrabandim me mallra, e keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Nga një hetim 5 mujor i tri agjencive të lartcekura janë mbledhur mjaft prova të mjaftueshme për identifikimin e tërë grupit kriminal.

Major Bahri Shala nga Departamenti i Hetimeve tha në një konferencë shtypi se pas mbledhjes së informatave nga terreni ata kanë kryer dje në mëngjes është ndërmarrë një operacion në 3 rajone të vendit.

“Pas këtij hetimi disa mujor dhe sigurimit të informacioneve të mjaftueshme, dje më datën 23 të muajit 12, në orët e hershme të mëngjesit është ndërmarrë një operacion në rajonin e Ferizajt, Gjilanit dhe Prishtinës”.

“Si rezultat i këtij operacioni të përbashkët është arritur që të arrestojmë gjithsej 8 persona. Tre nga ta shtetas maqedonas, një shtetas serb, dhe katër persona tjerë të dyshuar kosovarë, dy prej të cilëve zyrtarë policorë”.

Përfaqësuesi i Doganës Bashkim Arifi ka thënë se në këtë operacion është kyçur edhe Administrata Tatimore për shkak të tentimit të shitblerjes me dokumentacion të ndryshëm të disa të dyshuarve.

“Sa i përket konfiskimeve të të cilave për momentin i kam të dhënat, shumica e tyre kanë të bëjnë me veshmbathje. Janë raportuar në administratën tatimore, shitje e padeklaruar prej 155 mijë e 980 palë mbathje të ndryshme. Një pjesë e madhe e këtyre veshmbathjeve vije nga Kina”.

“Për momentin janë sekuestruar rreth 2500 mbathje. Duhan ‘refuz’ janë ndaluar në dy raste dhe janë zënë në flagrancë të kontrabandohen, njëri 250 kilogram tjetri 500 kilogram, pastaj edhe mallra të ndryshme ushqimore”.

Përfaqësuesi nga Inspektorati Policor Jetullah Aliu ka thënë se policët për momentin janë të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, njëri nga ta polic hetues e tjetri patrullues kufitar.

“Në koordinim me prokurorin e caktuar të çështjes penale, dhe me autorizimin e tij kemi arrestuar 2 zyrtarë, mesin e gjithë atyre 8 personave, dy zyrtarë policor. Njëri është polic hetues, ndërsa tjetri është polic i patrullës kufitare”.

“Nuk dua të përzihem në hetime mirëpo për momentin ata akuzohen nga ana e inspektoratit për dyshimin e bazuar se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare duke trasuar rrugë të ndryshme”.