Arrestohen 4 persona të dyshuar për 17 vjedhje

Policia e Kosovës njofton se katër të arrestuarit dyshohen për vjedhje të rënda të kryera në zonën e Vushtrrisë. Tre nga të arrestuarit janë nga Mitrovica ndërsa një nga Vushtrria.

Lajme

08/01/2014 15:21

Policia e Kosovës ka njoftuar sot për arrestimin e katër personave, të cilët dyshohen se kanë kryer 17 vjedhje të ndryshme të ndodhura në zonën e Vushtrrisë.

Tre nga të arrestuarit janë nga Mitrovica ndërsa një nga Vushtrria, njofton Avni Zahiti, Zyrtar për Informim në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Mitrovicë.

“Njësia e hetimeve, në kuadër të stacionit policor në Vushtrri, brenda tri ditësh ka identifikuar dhe ka arrestuar katër persona të dyshuar për vepra të ndryshme penale, kryesisht vjedhje të rënda, të ndodhura në zonën e Vushtrrisë”.

“Hetuesit policorë bazuar në hetimet fillestare dhe dyshimet e ngritura kishin vlerësuar se hetimet për këto vepra duhet zgjeruar edhe jashtë zonës së përgjegjësisë, me qëllim të identifikimit dhe kapjes së kryesve të këtyre veprave”.

“Hetimet e zgjeruar lidhur me këto vepra penale hetuesit i kishin nisur me autorizimin e prokurorit, për të arritur deri tek suksesi i kapjes së kryesve të këtyre veprave hetuesit policorë kishin përgatitur një plan operativ, ku në bashkëveprim me hetuesit policorë të stacionit policor ‘Jugu’ në Mitrovicë ndërmjet datave 4, 5 dhe 6 janar 2014 në tri lokacione të ndryshme, kryesisht në zonën e Mitrovicës, kanë identifikuar dhe kanë arrestuar 4 të dyshuar për vepra penale të ‘vjedhjeve të rënda”.

“Të arrestuarit janë F.(N). K.15 vjeç, banues në Mitrovicë, B.(A).Q.19 vjeç, banues në Mitrovicë, O.(A) Q.18 vjeç, banues në Mitrovicë dhe A.(H).S. 15 vjeç, banues në Vushtrri”.

“Të arrestuarit e dyshuar pas procedurave intervistuese kanë deklaruar se në bashkëveprim kanë kryer 17 raste të veprave penale të vjedhjeve në zonën e Vushtrrisë”.

“Me urdhër të prokurorit ndaj tre të dyshuarve të lartcekur fillimisht është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë, ndërsa i dyshuari i katërt është liruar deri në procedim të rregullt të lëndës në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, dega në Vushtrri”.