Arrestimet dhe sulmet ndaj kosovarëve në Serbi, kërkohet reagim urgjent i ndërkombëtarëve

Dy kosovarët, Ramadan Maloku e Ibrahim Matoshi janë të fundit që u arrestuan në Serbi nën dyshimin për krime lufte. Matoshi u lirua dje nga burgu pas hedhjes poshtë të akuzave.

Lajme

09/10/2018 10:50

Përveç arrestimeve, shtetasit e Kosovës në Serbi po përballen edhe me sulme fizike, shkruan lajmi.net.

Dy të rinjë nga Prizreni u rrahën dje brutalisht në Novi Sad, teksa njëri prej tyre raportohet se është në gjendje të rëndë shëndetësore.

E në lidhje me këto ngjarje po kërkohet reagim i Bashkësisë Ndërkombëtare.

Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, ka thënë sot për lajmi.net se incidente të tilla për shqiptarët janë të papranueshme.

Megjithatë, Arifi shton se ngjarje të tilla janë shumë të shpeshta në Serbi.

“Unë kam kërkuar që Bashkësia Ndërkombëtare të reagojë sa më shpejtë, dhe mos të lejohet që gjëra të tilla të përsëriten sepse janë të papranueshme, për neve si shqiptarë në përgjithësi, por veçanërisht si shqiptarë të cilët jetojmë kështu dekada me rradhë. Neve këto gjëra na kanë ndodhur në mënyrë të përditshme”, ka thënë Arifi.

Se ka neglizhencë nga institucionet e Kosovës në lidhje me presionin tek bashkësia ndërkombëtare për këto raste, po e thotë edhe lideri i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati.

Ai për lajmi.net tha sot se në bazë të situatës aktuale dhe marrëdhënieve me Serbinë, institucionet e Kosovës duhet që presionin të fokusojnë tek marrëdhëniet me Serbinë.

Sipas tij, reagimet nuk duhet të jenë vetëm përmes deklaratave publike, por të njëjtat duhet të fokusohen përmes institucioneve të Bashkimit Evropian.

“Unë mendoj që edhe sot në bazë të situatës dhe marrëdhënieve me Serbinë, institucionet tona duhet që presionin për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve atje, në përgjithësi dhe për ruajtjen e shqiptarëve të Kosovës të cilët jetojnë në Serbi. Duhet bërë më shumë jo vetëm me deklarata publike, sidomos ata që janë në pushtet, sepse e kanë mundësinë që këtë ta bëjnë edhe përmes institucioneve të Bashkimit Evropian. Pra kur dihet se në çfarë faze është procesi integrues i Serbisë”, ka thënë Murati për lajmi.net.

Murati po ashtu ka thënë se më aktive në këtë aspekt duhet të jetë edhe Zyra Ndërlidhëse në Beograd, e cila sipas tij duhet ta luaj rolin e vet.

Në lidhje me ngjarjet e fundit në Serbi kanë reaguar edhe krerët institucional.

Kryeministri Haradinaj ka thënë se ngjarja e djeshme dëshmon se nuk ekziston lëvizja e lirë në shtetin serb, teksa ka bërë thirrje për zbardhjen e këtij rasti.

Ndërkaq, ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, ka thënë se Serbia duhet të heqë dorë nga gjuha e urrejtjes e cila sipas tij ushqen dhunë./E.D/Lajmi.net/