Arrestime masive në Turqi të njerëzve të dyshuar se janë në ISIS

Policia turke ka arrestuar disa dhjetëra njerëz si të dyshuar se janë të lidhur me ISIS, në mesin e të cilëve janë edhe 24 të mitur, shkruan sot “Rusia Today”.

Bota

20/10/2015 18:41

Ata janë trajnuar për luftën në Siri dhe Irak si pjesëtarë të ardhshëm të ISIS dhe duhej që së shpejti të barteshin në territorin që kontrollohet nga ISIS, shkruajnë sot mediat turke.

Në aksionin policor në 18 shtëpi në Stamboll kanë marrë pjesë njësitë speciale në mbështetje të helikopterëve, ndërkaq janë arrestuar 53 njerëz.

Aksioni është pjesë e sulmit terrorist që është kryer në Ankara më 10 tetor.

Të gjithë të arrestuarit janë shtetas të Taxhikistanit dhe Uzbekistanit, ndërsa zyrtarët e Policisë kanë deklaruar se shumica kanë hyrë ilegalisht në Turqi.

Autoritetet turke besojnë se të dyshuarit kanë trajnuar të miturit në bodrume, ku fëmijët kanë mësuar për islamin radikal, ideologjinë dhe zakonet e jetës në territoret që kontrollohen nga ISIS.