Arrestim për shpërdorim të Bitcoin

Njëri nga figurat më me ndikim në botën e Bitcoin, Charles Shrem, është arrestuar të dielën për shpërlarje parash. Po ashtu, është arrestuar një tjetër person, Robert Faiella.

Lajme

27/01/2014 21:34

Charlie Shrem, nga figurat më të njohura të monedhës virtuale Bitcoin, duhet të ishte në Miami gjatë vikendit, si i ftuar special në një konferencë për monedhën digjitale. Kurrë nuk ia arriti të jetë atje.

Prokurorët thonë se ai ishte arrestuar të dielën në Aeroportin Ndërkombëtar të New York’ut – John F. Kennedy, për shkak se dyshohet të ketë bërë shpërlarje parash për vlerën e 1 milionë dollarëve amerikanë, për të ndihmuar kryerjen e transaksioneve në tregun e zi online – Silk Road.

Një tjetër njeri, Robert Faiella, është arrestuar po ashtu në Manhattan, pasi thuhet të ketë ndihmuar përdoruesit e Silk Road që të blejnë në mënyrë të fshehtë nga narkotikët e deri te pasaportat e falsifikuara.

Arrestimet vijnë pas dyshimeve dhe akuzave se monedhat e Bitcoin (që kishte filluar thjesht si eksperiment, e sot përdoret si monedhë virtuale e ka zgjuar interesimin e shumë kompanive të mëdha) përdoren për transaksione ilegale.

Shrem udhëheq kompaninë Bitinstant, një kompani me bazë në New York që bën shitblerjen e monedhave Bitcoin, e para e regjistruar në Departamentin e Thesarit. Kompania ka tërhequr investitorë të profilit të lartë, si binjakët Winklevoss, të cilët janë bërë të njohur për betejën me Mark Zuckerberg mbi zotërimin e Facebookut. Firma e tyre “Winklevoss Capital” vitin e fundit udhëhoqi një fond investimesh prej 1,5 milionë dollarë në Bitinstant.

“Bitcoins nuk janë tërëisht ilegale dhe kanë të drejta të caktuara legjitime për t’u përdorur, por gjithashtu janë të njohura edhe për përdorim ilegal për të lehtësuar transaksione të paligjshme dhe shpërlarje të lehtë parash, pasi që ato para mund të transferohen në mënyrë anonime”, thoshte një agjent i Shërbimit të Brendshëm të të Ardhurave, që ishte në udhëheqje të hetimit të rastit.

Prokurorët federalë më herët gjatë këtij muaji kanë konfiskuar Bitcoins me vlerë prej 28 milionë dollarëve nga kompania Silk Road, në lidhje me një padi civile dhe ankese ndaj tregut kësaj kompanie, pronarit të saj dhe operatorit.

Në dhjetor, Prokuroria publikoi një padi ndaj 3 personave që dyshohet se kanë ndihmuar funksionimin e Silk Road. SHBA’të më herët kishin akuzuar të ashtuquajturin “trurin” e Silk Road – Ross Ulbricht, për udhëheqjen e webfaqes dhe për vrasjen e 6 personave të cilët ishin dëshimtarë të mundshëm kundër tij.